TIRANË

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka ndarë në seancën e sotme plenare një analizë të detajuar të institucioneve të pavarura. Spiropali tha se ato janë element kyç i mbikëqyrjes së pushteteve që sigurojnë kontrollin, balancat, respektimin dhe sundimin e ligjit.

“Së pari përgëzoj kuvendin për punën e bërë për ngritjen e platformës ndërinstitucionale online, e cila bën të mundur monitorimin në kohë reale të ecurisë të zbatueshmërisë të rekomandimeve të institucioneve të pavarura. Platforma e Kuvendit është angazhim i drejtpërdrejt i kryetarit të Kuvendit për të intensifikuar bashkëpunimin institucional, institucionet e pavarura, ekzekutiv me qëllim rritjen e kontrollit parlamentar, rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura dhe rritjen e llogaridhënies nga ekzekutivi. Edhe në buxhetin e 2021 institucioneve të pavarura iu është siguruar një mbështetje buxhetore progresive në rritje në çdo vit, në mandatin tonë qeverisës, pikërisht për të ushtruar me sa më shumë efikasitet mandatin e tyre mbikëqyrës, rekomandues dhe auditues mbi ekzekutivin dhe institucionet e tjera. Platforma ndërinstitucionale online vjen në frymën e rritjes së kontrollit parlamentar nga ana e Kuvendit duke nxitur një sistem transparent dhe një vlerësim më efikas mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve nga ekzekutivi dhe agjencitë e varësisë. Si ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin në emër të qeverisë e kam theksuar që në krye të herës si e një rëndësie të veçantë, krijimin e një rrjeti të koordinatorëve të veçantë, përfaqësues në çdo ministri. Ndjekja dhe raportimi në mënyrë të posaçme i ecurisë së zbatueshmërisë së rekomandimeve dhe vendimeve të institucioneve të pavarura është një nga hapat e domosdoshëm që kanë lehtësuar komunikimin dhe kanë ofruar dhe afruar qasjen e duhur të këtyre institucioneve me ekzekutivin duke koordinuar në mënyrë periodike mbi çdo raportim”, deklaroi Spiropali.

Sipas saj, në kushtet e përmbushjes së detyrimit të Kuvendit, rrjeti i koordinatorëve i ngritur në çdo ministri pas dy vitesh koordinimi ka ndjekur me përpikmëri zbatueshmërinë e rekomandimeve.

“Kjo mbikëqyrje dhe ky komunikim i vazhdueshëm ka lehtësuar procesin analitik krahasimor dhe ka kthyer në përparësi komunikimin e ekzekutivit me aktorët dhe faktorët për të garantuar transparencën, optimizimin e performancës së institucioneve shtetërore duke rritur përgjegjshmërinë ndaj shoqërisë”, tha ministrja Spiropali.

Ajo theksoi se gjatë pothuaj dy viteve kemi hartuar 4 raporte 6-mujore dhe 2 raporte 1-vjeçare për vitin 2019 dhe 2020.
“Dua të sjell në vëmendje disa raste me ndjeshmëri të lartë shoqërore. Rekomandimi i Avokatit të Popullit zbatuar nga Ministritë e Arsimit dhe e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të abuzuar dhe dhunuar seksualisht nisur nga rasti i abuzimit dhe dhunimit të të miturës 15-vjeçare në Tiranë; Rekomandimi i zbatuar për marrjen e masave për garantimin e të drejtës për arsim të fëmijës me aftësi të kufizuar në interesin më të lartë të tij, çka shërben edhe si shembull për raste të tjera të ngjashme për të luftuar diskriminimin; rekomandimi mbi botimin e akteve nënligjore në fletoren zyrtare, zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apo rakomandimi për marrjen e disa masave për të siguruar aksesin në informacion dhe shërbim të shtetasve sa i përket kufizimit, ndalimit të të drejtës për lëvizje gjatë periudhës se infkesionit të shkaktuar nga COVID-19”, tha ndër të tjera Spiropali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb