TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa kufij” për lirinë e medias, ku Shqipëria kishte rënë me 7 vende nga viti i kaluar.

Kreu i Shtetit e cilëson një kambanë alarmi që duhet t’i zgjojë të gjithë dhe dënon dhunën ndaj gazetarëve. Ai kërkon që përgjegjësit të vihen para drejtësisë e t’i jepet fund çdo shantazhi apo presioni ndaj mediave.

DEKLARATA E PLOTË
Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias.
Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.

Angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.
Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.

Neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj.
Liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit.

Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.
Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cenuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik.??

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb