TIRANË – Dy përfaqësues të PD-së, Majlinda Bregu dhe Aldo Bumçi, janë takuar sot me eurodeputetin Fleckenstein, për ta informuar mbi zhvillimet politike në kuadrin e raportit që do të përgatisë për Shqipërisë e do të prezantohet brenda muajit shkurt.

“Raportuesi i BE-së do të përgatisë brenda muajit shkurt, besoj, afatet kohore për t’u miratuar në Parlamentin Europian, Raporti për Shqipërinë, – tha Bregu.- Ai është në misionin faktmbledhës të së vërtetave që nuk mund të fshihen poshtë qilimit, të ngjarjeve dhe të situatës në Shqipëri.

Në takim kemi diskutuar për të gjitha pikat që do të jenë pjesë e Raportit dhe kanë të bëjnë kryesisht me fushat që janë brenda 5 prioriteteve, detyrimeve të Komisionit Europian ndaj Shqipërisë dhe për mënyrën e moszbatimit, të shkeljes së tyre, me fokus kryesor, të drejtat e njeriut. Gjithashtu, duke ndjekur edhe problematika të lidhura jo direkt me Raportin -por që do të jenë pjesë e tij – të cilat janë pjesë e atij pakti apo marrëveshjeje ndërmjet mazhorancës dhe opozitës me vëmendje kryesore tek procesi i dekriminalizimit të parlamentit.”

Bregu theksoi se u diskutua “për moszbatimin e ligjit, shkeljen dhe moszbatimin e vendimit të gjykatave dhe të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me shkelje të drejtave të njeriut, për të cilat mendoj se ka pasur një vëmendje më të shtuar dhe më të madhe se në takimet e tjera.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb