Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë raportimit vjetor për vitin 2021 në KLP solli në vëmendje një shqetësim që lidhet me vakancat në vetting.

Sipas Çelës, viti i kaluar ishte i vështirë jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të vakancave të krijuara në sistem për shkak të vetingut.

Çela theksoi se gjatë vitit 2021, 116 prokurorë i mungonin organikës.

RAPORTI
Viti që kaluam rezultoi të ishte sërish i vështirë për shkak të kohëzgjatjes së pandemisë, e cila ndikoi dhe krijoi probleme edhe në funksionimin e sistemit të prokurorisë, por edhe për shkak të largimeve të prokurorëve nga detyra për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar që krijoi mjaft vakanca në system. Megjithatë prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse të prokurorisë e përballuan këtë situate. Vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, nëpërmjet masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të unifikuar veprimtarinë e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, me synim rritjen e efiçensës dhe efektivitetit bazuar në një kuadër normativ të unifikuar dhe të konsoliduar në veprimtarinë institucionale, ashtu dhe nëpërmjet miratimit dhe vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me disa institucione dhe agjenci ligjzbatuese ndërvepruese për të rritur kapacitetet institucionale e profesionale dhe efiçencën e bashkëpunimit ndërinstitucional, ku veçojmë:
– Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë datë 14.06.2021, nëpërmjet, si hartimit të Planit Veprimit për ndjekjen e kërkesave të kësaj rezolute, i miratuar me urdhrin nr.78, datë 09.07.2021, ashtu dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij, me efekte në përmirësimin e mbarëvajtjes së punës në administratën e prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit me juridiksion të përgjithshëm, me qëllim sigurimin e rritjes së performancës dhe efikasitet në organizimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e punës në çdo prokurori, forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimimit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në bashkëpunim me projektin PAMECA V dhe projektin EURALIUS V, si dhe rritjen e eficencës së bashkëpunimit dhe koordinimit, ndërinstitucional në nivel qëndror e vendor me miratimin dhe zbatimin e urdhërit të përbashkët me disa institucione të përfshira në memorandumin e bashkëpunimit, ashtu dhe vijimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me fillimin e funksionimit dhe hapjen e zyrës të prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust në Hagë.
– Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave datë 2.06.2021, nëpërmjet, si miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr.4/2021 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2021 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, ashtu dhe Planit Veprimit “Për zbatimin e Rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2021” i miratuar me urdhërin nr.79/2021, me efekte në orientimin e politikave institucionale për ndjekjen e unifikuar të rekomandimeve prioritare të KM nëpërmjet masave administrative dhe procedurale të përcaktuara për drejtuesit e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe në drejtim të riorganizimit të brendshëm, koordinimit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale prioritare të rekomanduara, dhe mbikëqyrjen në vazhdimësi të ecurisë së tyre për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, forcimin e ligjshmërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe rritjen e bashkëpunimit e koordinimit ndërinstitucional.
– Masat e marra në drejtim të forcimit të pavarësisë së prokurorëve, mirëfunksionimit të zyrave të prokurorive dhe rritjes së eficencës të punës në çdo prokurori, nëpërmjet mbikëqyrjes të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm me nr.12/2020;
– Masat e marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale në luftën ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale, krimit financiar dhe goditjes së aseteve kriminale, duke bashkërenduar punën dhe koordinuar në nivel qendror e vendor me të gjithë institucionet ligjzbatuese të përfshira, ashtu dhe në kryerjen e trajnime të përbashkëta ndërinstitucionale;
– Masat e marra për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes me Policinë e Shtetit, për mënyrën e trajtimit të një pjese të materialeve kallëzuese, e shoqëruar edhe me udhëzimin përkatës që hyri në fuqi me 1 janar 2021, për t’i dhënë zgjidhje një problemi të mbartur prej vitesh, lidhur me cilësinë e materialeve referuese;
– Masa e marra që synojnë përmirësimin e punës në prokurori në drejtim të respektimit të të drejtave të viktimave të krimit, veçanërisht ato të dhunës në familje e grupeve vulnerabël dhe të miturve në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitar, nëpërmjet mbikëqyrjes të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr.17/2020 dhe miratimit të udhëzimit të përgjithshëm nr.8/2021, si dhe organizimin e tryezave të diskutimeve dhe pjesëmarrjes në trajnime, masa këto që do të vijojnë të jenë në fokusin tonë edhe në vitin 2022.
– Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të kërkesave të rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave, ashtu dhe të objektivave të synuara në udhëzimet e përgjithshme dhe Planet e Veprimit, ashtu si e theksova dhe ne hyrje të këtij raportimi, jemi të ndërgjegjshëm se realizimi i tyre është vështirësuar, si për shkak se në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme, si për shkak të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve, ashtu dhe për shkak të vijimit të gjendjes së pandemisë Covid 19 dhe përgjatë vitit 2021.

Në mënyrë të përmbledhur aspektet e veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2021, pasqyrohen më në detaje, sa më poshtë:

I. ORGANIZIMI I BRENDSHËM, GJENDJA, PROGRESI, PROBLEMATIKAT DHE MBËSHTEJA QË KËRKOHET.
Përgjatë vitit 2021, për shkak të vakancave numri i përgjithshëm faktik i prokurorëve ka qenë 205, tregues që evidenton se 116 prokurorë i mungojnë prokurorive me juridiksion të përgjithshëm. Gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas nivelit të prokurorive ka qenë: 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 110 prokurorë më pak për shkak të vakancave, 16 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të apelit ose 10 prokurorë më pak për shkak të vakancave, dhe 9 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ose 8 prokuror më pak për shkak të vakancave. Krahasuar vetëm me vitin 2019 shifra në ulje në numrin faktik në total është përkatësisht prej 33,66 % e prokurorëve.
Në kuadrin e përmirësimit të rregullave standard në organizimin dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, me datë 1 janar 2021 hyri në fuqi urdhëri nr.164/2020 i Prokurorit të Përgjithshëm, për miratin e dy regulloreve standard, për organizimin dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorive pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm, mbi bazën e të cilëve drejtuesit e prokurorive sipas nivele kanë nxjerr rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e secilës strukturë që kryen funksione procedurale dhe administrative sipas strukturës standarde , me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të çdo strukture, për të siguruar efikasitet në organizimin, drejtimin, koordinimin, dhe mbikëqyrjen apo monitorimin e punës në çdo prokurori.

Udhëzime të përgjithshme dhe akte normative me rëndësi në aspektin organizativ dhe funksional të miratuara në vitin 2021 mund të përmendim: -udhëzimi i përgjithshëm nr.2, datë 31.03.2021 “Për disa ndryshime e shtesa në udhëzimin e përgjithshëm nr.3, datë 21.06.2019 “Mbi masat administrative dhe procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm në periudhën para dhe pas zgjedhore”; -udhëzimi i përgjithshëm nr.4, datë 09.07.2021 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2021 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”; -udhëzimi i përgjithshëm nr.6, datë 23.07.2021 “Për disa ndryshime e shtesa në udhëzimin e përgjithshëm nr.08, datë 19.05.2020 “Për shpenzimet procedurale penale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm””; -udhëzimi i përgjithshëm nr.10, datë 30.12.2021 “Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimi me institucionet kushtetuese e ligjore”; -urdhëri nr.92 datë 30.07.2021 “Për përdorimin e regjistrit elektronik dhe përftimin e statistikave për çështje të pastrimit të parave në prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm”; si dhe akte të tjera në funksion të garantimit të informacionit “Sekret Shtetëror”, siç janë dhe; -Urdhri nr.105, datë 30.09.2021 “Për krijimin e Strukturës së Sigurisë në zbatim të VKM nr. 542, datë 25.7.2019 “Për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar që trajtohet në sistemet e komunikimit dhe të informacionit (SKI)” dhe -urdhri nr.111, datë 15. 10.2021 “Për caktimin e Strukturës së Sigurisë”.

Në kushtet e një situate kritike vazhduese të mungesës së kapaciteteve funksionale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm të krijuar nga vakancat e prokurorëve në procesin e vetingut, Prokurori i Përgjithshëm në vijim të punës së nisur për shmangien e efekteve të krijuara nga ulja e numrit të prokurorëve për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar, për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar në sistemin e prokurorisë, me shkresën nr.1434, datë 24.09.2021 i ka kërkuar Komisionit të Policisë Gjyqësore rritjen në 250 të numrit organik të oficerëve të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe kryerjen e procedurave për emërimin e tyre sipas nevojave në disa prokurori. Ndërkohë Komisioni ka caktuar numrin e përgjithshëm prej 250 oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksioneve të Policisë Gjyqësore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe pas kryerjes së procedurave të konkurimit është mundësuar emërimi i 25 oficerë të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, për të lehtësuar dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve në përballimin e volumit të punës në rritje, në ato prokurori të cilat aktualisht janë të mbingarkuara me kryerjen e hetimeve, ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e çështjeve në gjykim.

Gjithashtu, krahas plotësimit të vakancave me prokurorë nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e miratimit shpresojmë së afërmi të hartës së re gjyqësore jemi angazhuar për marrjen e masave që nevojiten për përmirësime në infrastrukturë nëpërmjet rritjes të kapaciteteve akomoduese me ambjente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratën dhe shërbimet mbështetëse në prokurori, me synim për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar dhe pëmirësuar kushtet e punës, në gjithë sistemin e prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm.

II. VEPRIMTARIA E PROKURORIVE, PROBLEMATIKAT DHE ÇËSHTJET QË KËRKOJNË VËMENDJE.

1. Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm

Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës të prokurorive për vitin 2021 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë.

Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj.

Gjatë vitit 2021, janë trajtuar 61015 materiale në shqyrtim , që përbën një rritje prej 4,35% në krahasim me vitin 2020. Janë ndjekur gjithsej 47512 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 5,97 % në krahasim me vitin 2020, nga të cilat 28368 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 1,71 % në krahasim me vitin 2020 dhe 940 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 46,87 % në krahasim me vitin 2020. Janë mbartur në vitin 2021, 18204 procedime penale me rritje prej 11,65 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2020. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 13503 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 0,94 % në krahasim me vitin 2020.

Gjatë vitit 2021 janë përfunduar 25688 çështje që përbën ulje prej 1,84 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2020, prej të cilave: 40,86 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 33,72 % janë pezulluar dhe 2,8 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

Janë dërguan në gjykatë për pushim 4686 çështje ose me rritje 0,83% krahasuar me vitin 2020, prej të cilëve 34,07 % janë pushuar për mungesë fakti. Nga të dhënat rezulton se për 144 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me ulje 38,19 % krahasuar me vitin 2020, ndërsa në 6 çështje vendosi kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, krahasuar me 5 vendime të tilla në vitin 2020.

Janë dërguar në gjykatë për kalimin për gjykim 10507 çështje me akuzë ndaj 12353 të pandehurve. Krahasuar me vitin 2020 rezulton një rritje prej 5,35 e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 7,38 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2021 janë dënuar 8371 të pandehur dhe për 144 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2020 me rritje 4,35 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 5,26 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb