TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla deklaroi sot në parlament ku kanë raportuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë se maxhoranca garantoi që politikë të mos emërtonte apo të ishte kompetenca në emërtesa në institucionet e drejtësisë.

Balla risolli në vëmendje deklaratat për ish-kryeprokuroren Ina Rama duke theksuar se ato kohë të vështira për drejtësinë kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë në kushtet e një drejtësie të re që po lind në gërmadhat e drejtësisë së vjetër.

“Në emër të shumicës së kolegëve këtu t’ju falënderoj për këtë raportim i cili është tashmë një rregull në këtë kuvend. Unë jam prej shumë vitesh në Kuvendin e Shqipërisë, e mbaj mend shumë vite më parë kur vinte të raportonte Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, kolegët deputetë të këtij krahu që i përkisnin shumicës së asaj kohe e bojkotonin raportimin e Prokurores së Përgjithshme sepse në etiketimin e udhëheqësit të shumicës së asaj kohe, Prokurorja e Përgjithshme bashkë me Presidentin e Republikës ishin horri dhe lavirja e Bulevardit.

Mendoj që këto kohë të vështira për drejtësinë kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë në kushtet e një drejtësie të re që po lind në gërmadhat e drejtësisë së vjetër dhe që natyrshëm buron nga fakti se ky Kuvend më 22 korrik 2016 ka votuar ndryshimet kushtetuese dhe më pas paketën ligjore që ka bërë që ju që raportoni sot këtu, jeni institucione tërësisht të pavarura dhe natyrshëm nuk mund të rri pa vlerësuar për një cilësi tepër të lartë të këtij procesi raportimi dhe natyrshëm për një pavarësi aspak të vendosur në dyshim tashmë të vendimmarrjeve qoftë të KLGJ dhe qoftë të KLP”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë rritje të pavarësisë së institucioneve tuaja. “Të mos harrojmë që KLD së dikurshme ishte një institucion tek i cili zhvilloheshin ankande për emërimet e gjyqtarëve dhe në këtë Kuvend zoti Murrizi përmendeshin vlerat e vendeve të punës për gjyqtarë në Tiranë, për gjyqtarë nëpër rrethe, ndërkohë që falë kësaj reforme në drejtësi dhe falë integritetit të dy institucioneve kemi vendimmarrjet e duhura, masat ndaj kujtdo gjyqtari apo prokurori që dëmton integritetin e institucionit dhe beismi ne qytetarëve shqiptarë tek institucionet e drejtësisë.

Nga shifrat që referoi zoti Kraja, që ka të bëjë me numrin e personave nën hetim gjatë 2020, 71% e rasteve janë marrë të pandehur. Për pjesën tjetër për asnjërin nuk është pushuar hetimi. Kjo është një shifër shumë domethënëse. Kurrë më parë institucionet e prokurorisë nuk kishte një shifër mbi 70% për personat e marrë nën hetim. Niveli i personave të marrë nën hetim në kohën e Saliut dhe Ilir Metës nuk e kalonte 10-12%. Kjo tregon seriozitet, natyrshëm është vetëm fillimi”, u shpreh ai.

Balla theksoi se janë procese të ndërlidhura. “Fakti që shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në vetting nuk e kanë kaluar këtë proces ka krijuar deficite. Studimi që ka bërë KLGJ për numrin e gjyqtarëve të Apelit, me të drejtë mund të gjendet një zgjidhje që t’u japim qytetarëve shërbim. Në këtë këndvështrim të mos të bëjmë politikë me ato studime objektive që sjell KLGJ, por t’i shohim në këndvështrimin pozitiv, të nevojës për të ofruar sa më shpejt shërbimin. Unë do të doja që t’i bëja thirrje gjithë kolegëve deputetë që natyrshëm dhe në këtë krah dhe në krahun tjetër dhe ju opozita parlamentare keni vlerën tuaj, shumë mirënjohje për mbështetjen buxhetore që i kemi dhënë këtyre institucioneve dhe që do vazhdojmë tua japim. Jemi në kushtet që është është fillimi i mbarë i një pune të rëndësishme. Sa i përket numrit të procedimeve penale të nivelit të lartë, sa i përket politikanëve, as Shqipëria nuk do bëjë përjashtim nga vende të tjera që kanë kaluar në këtë proces, Rumania, Kroacia. Para 7-8 vitesh në Rumani ishin në proces dënimi ose të dënuar nga kryeministra tek ministra, senatorë e deputetë. Edhe në Shqipëri ka ish-ministra në dyert e gjykatave, prokurorë të përgjithshëm që janë dënuar në një shkallë të gjyqësorit, dhe ky është një proces i cili do të vijojë. Kemi garantuar gjënë të rëndësishme, koha kur politika emërtonte ose kishte kompetenca në emërtesa ka mbaruar njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Balla.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb