TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e ka cilësuar raportimin e institucioneve të pavarura në Kuvend një raportim model. Balla foli në seancën e sotme për autoritetin e dosjeve të ish-sigurimit dhe ngritjen e këtij institucioni, duke e quajtur një arritje të madhe.

“Kjo legjislaturë raportimin e institucioneve të pavarura e ka kthyer në një raportim që nuk do të hezitoja ta quaja raportim model dhe për nga mënyra se si të gjithë deputetët për çështjet që kanë pasur, ose kanë menduar se është i nevojshëm një sqarim i mëtejshëm është zhvilluar brenda të gjithë asaj që unë do e quaja normalitet i jetës parlamentare.
Edhe raportimi i sotëm nga autoriteti i dosjeve të ish-sigurimit të shtetit bën pjesë në atë nevojë për më shumë komunikim publik, lidhur me një proces nuk kishte ndodhur më parë në Shqipëri”, tha Balla.

Sa i përket përmendjes së pseudonimeve të agjentëve, Balla dhe se nuk i shërben transparencës.
“Atë që bëri zoti Murrizi këtu duke cituar në fakt pseudonime bashkëpunëtorësh të ish-sigurimit të shtetit e kam bërë dhe unë shumë vite më parë, në vitin 2006, teksa përsëri në këtë anë të sallës ishin kolegë të djathtë të PD edhe që edhe pse vinin nga PD, e cila e lindi si një parti e idealeve të dhjetorit përsëri kishin mbi supet e tyre peshën e rëndë të bashkëpunimit me një prej shërbimeve sekrete më të ashpra dhe madje gjakatare që njohu ish-blloku komunist. Në këtë këndvështrim unë nuk mendoj që ne deputetët ndihmojmë qoftë në transparencën e domosdoshme, por qoftë dhe në atë që ka nevojë sot shoqëria shqiptare. Kemi shumë ndasi mes njeri-tjetrit dhe këto ndasi nuk na kanë ndihmuar që të ndërtojmë një dialog konstruktiv, i cili është në fakt dhe një prej detyrave kryesore që një vend që aspiron të anëtarësohet në BE duhet të përmbushë. Nëse i referohemi atyre që quhen kriteret e Kopenhagenit, nevoja për dialog konstruktiv është domosdoshmëria kryesore e vlerësimit për një demokraci funksionale”, tha Balla.

Sipas tij, pavarësisht nevojave dhe për ngritjen e alibive nga pala humbëse apo nga ata që humbën zgjedhjet në tërësi, zgjedhjet e 25 prillit ishin zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka zhvilluar në këto 30 vite.

“Dita e zgjedhjeve ishte dita e fitores së demokracisë në këtë vend dhe u bë dhe më e bukur në momentin kur pas zgjedhjeve secila prej palëve shpalli fitoren. Të gjithë njëzëri thanë se brenda në kuti është vullneti i lirë dhe demokratik i qytetarëve shqiptarë. Për t’u rikthyer tek dialogu dhe ajo që tha zoti Murrizi, kur unë i kam lexuar emrat e pseudonimeve më pas kam kuptuar që nuk kam ndihmuar që ato të bëhen transparente sepse Shqipëria gjatë qeverisjes së PD nga 2005-2013 dhe pse ka pasur një përpjekje dhe unë kam qenë nismëtar i një ligji bashkë me kolegë të PD, të mbështetur nga qeveri partnere nuk arritëm të krijonim një institucion si ky që kemi sot”, deklaroi ai.

Balla tha se duhet ta pranojmë që autoriteti i cili ka detyrën të bëjë transparencën mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit është një arritje shumë e madhe e ligjvënësve shqiptarë që në 2015 e iniciuan këtë institucion.

“E vërteta është se shumë institucione të tjera, të drejtësisë, madje unë kam pasur një komunikim me zonjën Sula që ta kemi si një dokument të domosdoshëm për ta paraqitur kandidatët, formularin e bashkëpunëtorëve me ish-sigurimi ne shtetit, por do jetë proces i diskutimit të ri për reformën zgjedhore që do ta fillojmë në shtator. PS nuk ka pasur dhe nuk ka kurrë ndonjë merak që lidhet me këtë çështje. Ajo që është ironia, që e vetmja parti që kur ka pasur shumicën në këtë kuvend ka bërë gjënë e duhur dhe sot pas 30 viteve Shqipëria ka një institucion që bën transparencë. Ka qenë Sali Berisha 14 vjet dhe nuk mori kurrë iniciativën të bënte një kuadër ligjor dhe një institucion të pavarur për ta bërë këtë detyrë.
Deri në vitin 2013 shumë ish-të persekutuar vdiqën pa marrë qoftë dhe një këst të vetëm, ndërkohë që sot PS ka bërë shumë më shumë se sa PD për ish-të persekutuarit. Ka paguar më shumë këste. Retorikat politike në këtë sallë apo jashtë që lidhen me qasjen e krimeve të komunizmit apo me transparencën e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, mendoj që ne i kemi tejkaluar ditën që kemi miratuar këtë ligj dhe kemi ngritur këtë institucion të pavarur, i cili sot merr dhe vlerësimin më të lartë të atyre që janë bashkëkontributorë dhe që nga eksperienca në vendet e tyre, Gjermania natyrshëm, sepse Gjermania u desh të adresojë dosjet e një shërbimi sekret sikur ishte Stas, shumë të ashpra.
Natyrshëm që është një model që në Gjermani është, që ne kemi pasur përqasjen tonë që ta kemi si model”, tha Balla.

Ai deklaroi se pseudonimet që zoti Murrizi lexoi janë natyrshëm përgjegjësi e këtij institucioni që ato të jenë në disponimin e publikut për të kuptuar që dikush që sot e shet veten si një demokrat i madh të kuptojë që ka qenë dikur një shërbëtor i keq i regjimit. “Se ka dhe nga ata që nuk kanë qenë vetëm bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit në Shqipëri por i dhe i shërbimeve të huaja. Duhet më shumë maturi, këto çështje të diskutohen me përgjegjësi. Përmirësime të kuadrit ligjor natyrshëm. Gjithmonë ka përmirësim nga autoriteti ligjvënës. Prandaj ligjvënësi është aty për ta përmirësuar ligjin”, u shpreh Balla.

Sa i përket vijimit, ecjes përpara të reformës në drejtësi apo problematikat që lidhen me funksionalitetin e shkollës së magjistraturës ai tha se ne kemi një shkollë magjistrature shumë të mirë.
“Në fund të fundit dhe pse ne shqiptarët kemi prirjen të besojmë se kemi shpikur rrotën si të tillë duhet të bëjmë shpikjet tona. Jo, shkolla e magjistraturës është pothuajse modeli i vetëm që kanë të gjitha vendet për mënyrën e përgatitjes profesionale të magjistratëve. Nuk ka një model tjetër. Ajo që ne kemi garantuar është heqja dorë nga sëmundja 26-vjeçare, ku emërtesën në sistem të magjistratëve të mos ta ketë më politika. Deri në vitin 2016 anëtari i një gjykate, apo një prokuror emëroheshin me propozimin e PP apo të KLD në rastin e gjyqtarëve, ku kryetari i KLD ishte presidentit dhe anëtarët e GJK votoheshin në Kuvend. Ka pasur këtu në kuvend dekrete të presidentëve të ndryshëm që maxhorancës së asaj kohe nuk i pëlqente dekreti nuk votohej anëtari i gjykatës, madje shkonte deri aty sa nuk hynte për miratim dekreti.
Unë mendoj që ne kemi bërë gjënë e mirë dhe gjënë e duhur, që ne politikanët nuk kemi më punë me emërimin e anëtarëve të sistemit gjyqësor. Natyrshëm është që Kuvendi duhet të mbështesë formësimin e institucioneve të reja”, tha Balla.

Ai bëri dhe një apel për juristët të aplikojnë në Gjykatën e Lartë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
“Apeli im publik për të gjithë ata juristë shqiptarë që kanë 15 vjet eksperiencë profesionale dhe që përmbushin kriteret të aplikojnë në vakancat e shpallura nga GJL për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Janë tre vakanca të cilat nëse aplikantët do të aplikojnë në kohë dhe sigurisht përmes një procesi vettingu që KED do bëjë, ne të kemi mundësinë që GJK të jetë me 9 anëtarë në kohën e duhur, teksa fatmirësisht kemi parë vendimet para Gjykatës Kushtetuese, besoj që ishte shterues mendimi i GJK për të gjitha dilemat që kishim që Presidenti i Republikës nuk mund të dalë mbi Kuvendin e Shqipërisë kur bie fjala për dekretet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Presidenti mund të ketë mendimet e tij, mund t’i shprehë me dekret dhe në një dokument bashkëshoqërues, por në fund të fundit është Kuvendi ai që shprehet. Besoj që të gjithë e dinë që Kuvendi ka një proces shkarkimi për presidentin. Procesi i shkarkimit certifikohet vetëm nga ana e GJK. Ja pra një hap tjetër i nevojës për funksionalitet i të gjitha strukturave për një sistem drejtësie funksional.
Leksioni i sekretarit Blinken është një leksion që mendjen në kokë duhet ta ketë secili të plotë që partnerët e Shqipërisë janë pikë së pari aleatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb