Në seancën e zhvilluar sot në Komisionin e Ligjeve, të mbajtur në lidhje me ecurinë e punës së SPAK për vitin 2022, deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, ka pyetur kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, se përse nuk ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e BKH, bazuar sipas tij në raportime nga mediat dhe shoqëria civile.

Ai ka ngritur dyshimin nëse një marrëdhënie e tillë është krijuar si pasojë e një keqkuptimi apo keqzbatimi ligjit.

Kreu i SPAK Altin Dumani është përgjigjur se marrëdhëniet përkundrazi janë shumë të mira dhe se bashkëpunimi mes tyre është shumë korrekt.

Pjesë nga diskutimi:

Pandeli Majko: Disa analiza e dokumente publik kryesisht nga shoqëria civile e mediat, konstatohet një marrëdhënie jo fort e shëndetshme midis drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme dhe atyre të BKH-së. Aq sa krijohet përshtypja e një keqkuptimi krijuar nga fryma e normat të krijuar nga ne ligjvënësit. Duam të dimë pse kjo situatë? Keqkuptim? Nuk na intereson marrëdhënia juaj sa shkoni me njërit-tjetrin e sa kafe pini në ditë, por na intereson ajo që kemi shkruar ne për këtë marrëdhënie. Përse është kjo situatë? Keqzbatim i ligjit, keqkuptim? Si shpjegohet që disa rekomandime të rezolutës nuk janë realizuar ende?

Altin Dumani: Mirëpres çdo problematikë shqetësim apo kritikë të ngritur nga Kuvendi. Përpiqemi të reflektojmë në punën tonë.

U thanë nga ju për vlerësimin e prokurorëve, ato i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë! Sa i takon vlerësimit të hetuesve të BKH, ka një raport të drejtuesit të BKH që e ka dorëzuar, ne kemi bërë një diskutim. Kemi harmonizuar çdo qëndrim tonin edhe me ndërkombëtarët, të cilët monitorojnë veprimtarinë e BKH. Jemi në të njëjtën linjë me këtë komision mbi çdo akt që propozohet nga BKH.

Sa i përket marrëdhënies me BKH, ju garantoj se janë shumë të mira. Hetuesit janë funksionalë. Sot që flasim, në shumicë absolute hetuesit e BKH mbulojnë hetimet e procedimeve penale që ndjek SPAK. Ne me atë grup hetuesish, gjithsej 60, bëjmë hetimet kryesore, kemi një marrëdhënie shumë të mirë ndërvepruese. Edhe pse jam drejtues sot, sërish kam çështje në hetim, por edhe kolegët, të gjithë kanë çështje në hetim dhe i shohim si janë marrëdhëniet. me kënaqësi them që ka një rritje profesionale të hetuesve të BKH-së dhe të angazhimit të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb