Reagon një tjetër deputet nga Gjermania: Raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Manuel Sarrazin, nga Të Gjelbrit kërkon bashkëpunim gjithë-partiak për reformat.

Pas reagimit të dy partive të para gjermane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, ka reaguar tashmë edhe partia e tretë e opozitës, Të Gjelbrit. Raportuesi i kësaj partie, Manuel Sarrazin, nisur nga fakti, që ende nuk dihet saktësisht se kush do të dalë fitues, është përqendruar te thirrja për bashkëpunim serioz dhe të përgjegjshëm në rrugën e reformave:

“Si në qeveri, sinë opozitë, të gjitha partitë tani duhet të ndjekin së bashku kursin e reformave me më shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet se më parë”, i tha Sarrazin sot DW në një deklaratë me shkrim.

Një kërkesë kjo që me sa duket shkon më shumë në adresë të opozitës aktuale e cila dogji mandatin në vitin 2019. Sipas ekspertit për Evropën Juglindore “bojkotimi i parlamentit ishte jodemokratik dhe i papërshtatshëm, duke pasur parasysh sfidat e mëdha, me të cilat përballet vendi. Qeveria dhe parlamenti adresojnë dhe zgjidhin problemet ekzistuese në fusha të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, liria e medias, korrupsioni dhe mbrojtja e mjedisit. Vendi ka nevojë për reforma urgjente dhe jo për vazhdimin e luftës së llogoreve.”

Sarrazin i cili së bashku me kolegët socialdemokratë në Bundestag ka qenë gjithnjë për fillim pa kusht të negociatave shfrytëzon rastin të ripërsërisë kërkesën e tij të kahershme për të filluar sa më shpejt negociatat me Shqipërinë:

“BE-ja duhet ta mbështesë vendin në rrugën drejt BE-së dhe të mbajë premtimet e bëra. Prej kohësh Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e kapitujve të parë dhe ka zbatuar reformat e para në fushat e drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse BE-ja e shtyn pafundësisht hapjen e bisedimeve të para për anëtarësim, ajo do të dobësojë më tej besueshmërinë e procesit të pranimit në BE.”

Grupi parlamentar i Të Gjelbërve është aktualisht më i vogli në Bundestagun gjerman, por nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e sivjetshme për parlamentin gjerman ai të luajë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb