Sopranoja e njohur Inva Mula ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku foli edhe për marrëdhënien e ngushtë dhe shoqërore që ajo ka me dy fëmijët e saj.

Diva e muzikës kujtoi emocionet e mëdha që ka përjetuar kur u bë nënë për herë të parë, “Ndryshoi qëllimi i jetës sime. Nuk isha më unë, por ishte djali. Ndryshoi gjithçka”.

Sopranoja rrëfeu edhe momentin e vështirë kur i është dashur ta lërë 3-muajsh të birin në Paris dhe shkoi të këndonte në Hamburg, Gjermani, “Atje gjeta një kohë të zymtë, rashë në depresion për herë të parë në jetën time. Isha në skenë ku duhet të tregoja që çdo gjë ishte në rregull, por ndërkohë mendoja për djalin. U ndava për gati 3 muaj dhe për këtë isha shumë e mërzitur dhe e dëshpëruar”.
Antoni tashmë është rritur, është 26 vjeç, dhe merret në muzikë. Bashkëpunimin me të birin në muzikë Inva e cilësoi si suksesin më të madh në jetën e saj.

Ndërkohë për vajzën Nina, sopranoja tha se erdhi si një dhuratë në jetën e saj, “Kam patur shumë fat në jetë. Jam bërë nënë dy herë në kohë të ndryshme, me 17 vjet diferencë. Vajza erdhi në një moment që nuk e prisja, si një dhuratë e bukur nga Zoti”.
Inva Mula zbuloi se Nina nga karakteri ngjan shumë me të atin, “Kanë një marrëdhënie shumë të bukur, një marrëdhënie që vjen duke u rritur”.

E madhja Inva Mula këndoi për herë të parë me vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, duke e bërë mbrëmjen në “Dola te Ola” shumë të veçantë dhe duke na dhuruar të gjithëve momente shumë të bukura televizive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb