Covid-19 ka hyrë tashmë edhe në qytetin e Poliçanit, ku që prej muajit korrik nuk ka pasur asnjë të infektuar. Drejtori dhe dy punonjëse të qendrën polivaliente të të moshuarve kanë rezultuar sot pozitivë me SarsCov-2.

Kjo ka vënë në alarm gjithë stafin e kësaj qendre dhe të moshuarit, të cilët janë karantinuar dhe do t’i nënshtrohen tamponit. Mësohet se të infektuarit janë pjesëtarë të së njëjtës familje dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Edhe 5 raste të tjera në qytetin e Poliçanit nga mosha 52-84 vjeç, janë konfirmuar “pozitivë” nëpërmjet skanerit të kryer pas shfaqjes së shenjave të theksuara të infektimit. Ata janë transportuar në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku përveç mjekimeve po marrim edhe trajtim me oksigjen.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se për të gjitha rastet e evidentuara “pozitive” po kryhet hetimi epidemiologjik i rasteve të kontaktit, ndërkohë që në qendrën e të moshuarve, ku edhe u shfaqën infektimet e para, është kryer dezinfektimi i të gjitha ambienteve të brendshme e të jashtme. Aktualisht në të gjithë qarkun e Beratit numërohen 214 raste aktive me Covid-19.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: