BERAT

Dy mjekë të Qendrave Shëndetësore të fshatrave Velabisht e Cukalat janë infektuar me Coronavirus. Mjekët kanë qënë asimtomatikë por për shkak se kanë qënë kontakte të afërta të rasteve të mëparshme, ata kanë kryer tamponin dhe kanë rezultuar “pozitiv”. Mjekët e infektuar por edhe personeli mjekësor në këto qendra shëndetësore është karantinuar, ndërkohë që janë mbyllur përkohësisht të dyja qendrat. E infektuar me koronavirus ka rezultuar edhe nje edukatore në kopshtin “10 Korriku” në qendër të qytetit.

Edukatorja kishte disa ditë e karantinuar,në pritje të përgjigjes së tamponit të bërë dhe pas konfirmimit të saj “pozitive”,Drejtoria e Higjenës në Berat ka dezinfektuar kopshtin dhe ka mbyllur edhe grupin e fëmijëve ku punonte edukatorja. Edhe në shkolla rastet me Covid-19 po shtohen. Pas konfirmimit “pozitiv” që prej fillimit të vitit shkollor të 9 mësuesve dhe 4 nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut,një tjetër nxënëse në gjimnazin më të madh të qytetit ka rezultuar “pozitive”.

Nxënësja e gjimnazit “Bab Dudë Karbunara” doli pozitive menjëherë pas infektimit të shoqes së saj të klasës dy ditë më parë. Burimet zyrtare të DSHP-së Berat konfirmojnë se,janë kryer dezinfektimet në kopshte e shkolla si dhe po kryhet hetimi epidemiologjik i rasteve të kontaktit,ndërkohë që në Berat numri i rasteve aktive ka arritur në 121.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: