Sërish raste të reja të të infektuarve me COVID-19 në qarkun e Beratit. Mes të infektuarve të ditës së sotme janë regjistruar shumë raste brenda institucioneve publike. Në bashkinë Dimal një punonjës ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që është konfirmuar i infektuar me Covid-19 edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Urë-Vajgurore.

Edhe në shkolla kanë vijuar infektimet mes nxënësve dhe mësuesve. Në gjimnazin më të madh në Berat “Babë Dudë Karbunara” është infektuar mësuesi i kimisë, ndërkohë që edhe një nxënës në shkollën e muzikës “Ajet Xhindole” ka rezultuar pozitiv. Po kështu, është konfirmuar sot i infektuar me koronavirus edhe një mjek stomatolog. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Berat bëjnë me dije se, rastet e sotme janë jo vetëm raste kontakti të rasteve të mëparshme por edhe raste të reja. Të njëjtat burime konfirmojnë se, DSHP dhe Drejtoria e Higjienës kanë kryer dezinfektimet e nevojshme në çdo institucion ku ka pasur të infektuar.

Mjekët epidemiologë në Berat konfirmojnë se po kryejnë hetimet epidemiologjike të rasteve të kontaktit të të infektuarve, ndërkohë që numri i rasteve aktive deri më sot në të gjithë qarkun e Beratit ka arritur në 182.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: