TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta mendon se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar ndaj virusit që vjen nga Kina, pas konfirmimit të dy rasteve në Itali. Në një deklaratë për mediat, Kreu i Shtetit kërkoi marrjen e masave të forta në mënyrë që të parandalohet depërtimi i koronavirusit në Shqipëri duke sjellë si shembull rastin me SARS-in.

Sa i përket marrjes së informacioneve nga institucionet përkatëse, Meta tha se jemi në një proces komunikimi. Ai theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të parandalojë depërtimin në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.

Çfarë masash ka marrë Shqipëria për të përballuar çdo rast rreziku?
Mendoj se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje por ndoshta dhe në vende të tjera pranë nesh. Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla, sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur por është e rëndësishme të theksohet që çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike dhe unë shpresoj dhe inkurajoj marrjen e masave më të forta parandaluese.

Keni marrë informacione nga institucionet përkatëse?
Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë shumë qartë që ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e virusit në vendin tonë, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme në parandalimin e SARS-it para 16-17 vitesh dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: