Urna ku mbahej hiri i San Giovanni Bosco është vjedhur nga Bazilika e Colle Don Bosco në Astigiano. Kjo gjë bëhet e ditur nga burime të policisë, raportojnë mediat italiane. Relikja ishte vendosur prapa altarit kryesor, në fund të bazilikës e ndërtuar në vendlindjen e themeluesit të Kongregacionit Salezian.

Në Kongregacionin Salezian, nuk ka pasur në të kaluarën vjedhje të tjera apo tentativa për të marrë relike të shenjtit, vepra e të cilit në favor të të rinjve është prezente në 90 vende të botës me 1600 institute.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe nuk përjashtohet asnjë hipotezë: nga vjedhje me qëllim për të kërkuar ndonjë shpërblim, deri në një akt impulsiv i ndonjë besimtari.

Bazilika është drejtuar gjithmonë nga Salesianët. Brenda nuk ka kamera, të cilat janë të pranishme jashtë. Ekzaminimi i imazheve të regjistruara mund të ndihmojë hetimin, i cili po kryehet në fshehtësi të plotë.

APELI I ARQIPESHKVIT TË TORINOS: KTHEJENI MENJËHERË
“Lajmi është nga ata që nuk duhet të dëgjohej kurrë. Sepse na bën të mendojmë për një mjerim të thellë moral, atë të vjedhjes së një ‘shenje’ që është lënë dhe ruajtur për përkushtimin dhe besimin e të gjithëve”, tha Kryepeshkopi i Torinos, Cesare Nosiglia.

“Unë i bëj thirrje atij që e ka vjedhur reliken ta kthejë menjëherë, pa kushte, në mënyrë që të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm dhe të vazhdojmë denjësisht të nderojmë kujtimin e Don Boscos në vendin e tij të lindjes.”

Colle don Bosco është kodra që ngrihet në fshatin Becchi, një fshat i vogël Morialdo i qytetit të Castelnuovo (Asti), ku San Giovanni Bosco lindi më 16 gusht, 1815. Bazilika u shugurua në vitin 1984. Me rastin e 200-vjetorit nga lindja e tij, në vitin 2015 Papa Francesco bëri homazhe në bazilikën e Maria Ausiliatrice, në Torino.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: