DURRËS

Policia e Durrësit ka shënuar goditjen e tretë brenda këtij muaji të shpërndarjes së drogërave të forta.

Një 30-vjeçar nga Maminasi u kap me 4 doza kokaine teksa iu sekuestruan edhe një automjet, 3 celularë dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e kokainës.

Sa i përket masave të pandemisë, Policia ka gjobitur një lokal me 1 milion lekë për shkelje të protokolleve të sigurisë.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Durrës

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Policia e Durrësit ka goditur brenda muajit shkurt, rastin e tretë të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari një lokali që vijonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

R. V., 30 vjeç, banues në Maminas, Durrës.

Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në Maminas, shtetasin R. V., i cili po drejtonte mjetin tip “Peugeot” dhe nga kontrolli i ushtruar në mjet iu gjetën 4 doza me lëndë narkotike kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, mjeti tip “Peugeot”, 3 aparate celularë dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një lokali:

Shtetasin S. C., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb