Sociologu Gëzim Tushe ka folur për rastin “Ridvan Zykaj” dhe rolin e shtetit në masakrën me 8 viktima që tronditi të gjithë vendin.

Duke folur në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, Tushe tha se më shumë se me rastin në fjalë, duhet të merremi me krimin si fenomen në shoqërinë tonë.

Ai e vuri theksin tek roli i familjes dhe policisë së komunitetit dhe impaktin që kanë ata sidomos tek personat në dukje problematikë.

“Mund të ketë Ridvanë të tjerë që të kryejnë krime në shoqëri. Nuk ka një recetë për këtë shmangie, por duhen bërë ca analiza diferenciale. Kam frikë se është problem gjenetik. Ka raste të caktuara ku potencialisht në familje, pasi është një nga faktorët e shoqërisë që nuk funksionon, se nuk merren me fëmijët e tyre, e papritur thonë nga na doli vrasës ky fëmija ynë. Edhe policia e komunitetit duhet të jetë më vigjilente, t’i shohë individët që dallojnë. Por ka dhe shkaqe sociale. Rasti i Ridvanit, që mori 8 jetë njerëzish ka të bëjë me shoqërinë shqiptare që ka një lloj primitivizmi, që në vend të gjuhës, përdorin armët. Shikoni çfarë niveli mizerabël jemi ne, që për një fjalë goje, marrim armën e vrasim.

Krimineli është i paparashikueshëm, e ndonjëherë ndodh që është i befasishëm. Ndonjëherë brenda njeriut ndodhet kafsha. Kanë të bëjnë me instinktet, me mungesën e kontrollit. Kur ndodh një çarje e personalitetit, e brenda tij mbetet vetëm kafsha, ai atëherë bën hatanë. E kam ndjekur rastin e Ridvanit, e në rrjete sociale publiku ka një pritshmëri se çfarë bën shteti,” tha Tushe.

Sociologu gjithashtu tha se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje pasi edhe në shumë vende të botës nuk janë marrë pritshmëritë e duhura.

“Po ndodhin krime të patolerushme, krim në familje, krim në rrugë, krim në shkollë, nuk ka një oaz paqeje në vendin tonë dhe ky është alarm social. Ndikon dhe varfëria por nuk mund të themi që është faktor vendimtar. Duhen parë faktorët që i japin impuls krimit në shoqërinë shqiptare.

Dënimi me vdekje nuk është zgjidhje. Në botë edhe në ato vende ku ekziston dënimi me vdekje, nuk ka dhënë pritshmëritë e duhura,” u shpreh ai.

BalkanWeb

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb