TIRANË- Dy marrëveshje ekonomike me palën gjermane u ratifikuan të hënën nga komisioni i Jashtëm parlamentar.

Marrëveshja në fushën e energjisë për projektin “Linja unazore 110 KV në Shqipërisë Jugore” dhe ajo për projektin e rinovimit të konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, u miratuan pa debate nga deputetët. Drejtori për Politikat e Zhvillimit Elektroenergjitik, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Agim Bregasi tha se marrëveshja në sektorin e energjisë përcakton një grant prej 2 milionë euro nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfW, për përmirësimin e kushteve teknike-administrative për OSHEE-në.

Sipas Bregasit, marrëveshja ka objektiv kryesor që të kontribuojë në uljen e konsiderueshme dhe të qëndrueshme të humbjeve (teknike dhe jo teknike) në sistemin e shpërndarjes, si dhe përmirësimin e performancës operacionale dhe financiare të OSHEE-së. Ndërsa zv/ministri për Energjinë dhe Industrinë, Ilir Bejtja, duke mbrojtur marrëveshjen e dytë, tha se qëllimi i projektit është rikonstruksioni i godinave në Qytetin Studenti, me qëllim rritjen e efiçencës në konsumin e energjisë. Të dy pr/ligjet i kaluan për miratim seancës plenare të radhës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: