51 me 49% mbajtja e topit, 7 me 6 raste të krijuara, nga 2 gjuajte për kokë në kuadrat, këto janë shifra që flasin qartë, “X” në sfidën Atalanta-Arsenal ishte rezultati më i drejtë, një barazim pa gola ku diferencën e bëri vetëm një detaj, penalltia e humbur nga Retegui. Ky moment në minutën e 51-të mund të ndryshonte fatin e këtij takimi, por sulmuesi “azzurr” gaboi jo një por dy herë. Portieri Raya fillimisht i kuptoi krahun, por topi iu kthyer sërish, këtë herë në kokë, por sërish Retegui gaboi teksa me portën e boshatisur nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, një rast i pabesueshëm të cilin e përjetoi keq edhe trajneri Gasperini, me këtë të fundit që vendosi duart në kokë, fundja me të drejtë pasi ky detaj mund t’i dhuronte.

Të dy ekipet provuan deri në fund të ndryshonin fatin e këtij takimi, por pa sukses, duke ndarë nga një pikë pas barazimit pa gola. Berat Gjimshiti, kapiteni kuqezi zhvilloi një ndeshje thuajse perfekte, i vlerësuar me notën 7, nuk gaboi në asnjë detaj duke vërtetuar edhe një here peshën e tij tek Atalanta.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri Gasperini u ndal pikërisht te ky detaj, te penalltia e humbur nga Retegui: “Të vjen keq për atë penallti, të shkonim në 1-0 do të ishte shumë e rëndësishme. Më vjen keq edhe për të pasi kjo ishte ndeshja e tij më e mirë që ka zhvilluar në Bergamo. Gjithsesi, jemi të kënaqur me formën e shfaqur nga ekipi”, u shpreh Gasperini.

Mikel Arteta nuk e hedh poshtë pikën e marrtë përballë Atalanta-s: “Nuk është se vuajtëm, por i bëj komplimentet e mia edhe Atalantës, po bëjnë një punë të mirë. Raya u tregua fantastik me ato dy pritje. Arritëm të marrin një pikë, tani të mendojmë për ndeshjen e së dielës kundër Man.City”, u shpreh trajneri i Arsenal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb