TIRANË

Analisti Arjan Vasjari nuk i sheh aksionet e Presidentit të Republikës Ilir Meta si një reagim për sondazhet që nxjerrin forcë të parë PS-në. Duke iu referuar qëndrimeve të Presidentit për selinë e FRD dhe Elbasanin, ai tha në “Real Story” në News24 se mund të ketë informacion më të detajuar.

“Në qoftë se Presidenti i Republikës ka një informacion te detajuar dhe lëvizjet e tij i kondicionon nga sondazhet OK, por sa i përket aksionit të tij politik nuk i lidh me sondazhet”, tha Vasjari.

Juristi Plarent Ndreca tha se Presidenti ka treguar njëtrajtshmëri në mënyrën se si reagon, thjesht ka ndryshuar gjestet.
“Në lidhje me sondazhet gjykoj që aty ka ca emra kompanish të cilat besoj se nuk mund t’i përlyejnë emrin për një vend si Shqipëria dhe trendë të tilla. Trendi është shumë i qartë. Të gjitha sondazhet në momentet që janë bërë kanë treguar një trend të qartë që fitues është një parti politike dhe PD ka një farë rritje nëse do marrim maksimumi duke përfshirë marzhet e gabimit. Sa të sakta janë është për t’u parë. Nuk besoj që kompani serioze dhe me emër të prishin emrin e tyre për një vend si Shqipëria.

Sondazhet nuk kanë marrë në konsideratë që ne kemi sistem proporcional rajonal, ata kanë të dhëna proporcionale kombëtare. Ndoshta kështu është më e thjeshtë, kanë arsyet e tyre. Në 2017 PS në 48% të votave kombëtare ka marrë 74 mandate. Mënyra se si opozita ka shkuar në këto zgjedhje, fakti që kanë bërë një marrëveshje për të qenë të ndarë, është një tregues tjetër i faktit që opozita nuk ka besim mes veti që ata duan t’i fitojnë këto zgjedhje. Shkojnë në zgjedhje për të ruajtur status quo-n. As ata vetë nuk e besojnë, as nuk e duan të fitojnë. Vijnë në mënyrë këmbëngulëse me humbësa në zgjedhje. Lista e Tiranës ka vetëm një të ri, Alfred Rushaj”, deklaroi Ndreca.

Sipas tij, strategjia e PS është e fokusuar ashtu siç është sistemi zgjedhor, proporcional rajonal. “Mendoj që strategjia e zgjedhur është fituese dhe do prisni rezultate surpriza. PS ka hyrë si fituese në zgjedhje sepse nuk mund të rrezikonte figurat kryesore”, deklaroi ai.

Analisti Fatos Lubonja tha se nuk i beson sondazhet, pasi sipas tij nuk mund të nxjerrin me të njëjtin rezultat një forcë që ka 8 vite në pushtet dhe kjo nuk ka ndodhur më parë.

Për qëndrimet e Presidentit Meta ai tha se duhet parë fillimi dhe fundi i dy ngjarjeve, si ajo në FRD ashtu dhe Elbasanit. Sipas Lubonjës, Presidenti sheh kërcënim se këto forma do thellohen.

“Pse nuk besoj sondazhet dhe kjo bisedë këtu më bën akoma më shumë të mos i besoj. Ju thatë që duhet t’i besojmë sondazhet, unë them të mos i besojmë. Pse nuk duhet t’i besojmë. Cili është një argument? Një argument shumë i thjeshtë, si është e mundur…Plarenti tha janë ca humbës atje, figura të vjetra etj, ne thotë do fitojmë se përballë janë ca humbës. Le të marrim çik në analizë që 8 vjet qeverisje me gjithë këto disfata, për mendimin tim pa arritje, dhe ekonomike dhe në kuptimin e demokracisë, nuk mund ta lënë pa lëvizur rezultatin e një force politike që ka 8 vjet që është autore e kësaj. Kështu ka ndodh me Berishën, me Fatos nanon, humbi në 2005. Tani na del kjo partia e vetme që nuk pësoka humbje dhe pas 8 vitesh. Lidhur me Ilir Metën, duhet t’i shikojmë me të vërteta. Sa i përket tezës që Ilir Meta po reagon se është nervozuar nga sondazhet, në të dyja rastet dhe të FRD dhe të Elbasanit duhet të shikojmë dhe fillimin dhe fundin. Akti i parë është një polici që deri dje nuk shkonte, policia bashkiake e Erion Veliajt, në momentin që ikën Bamir Topi, bëhet një tjetër aleancë e asaj partie, të nesërmen i shkon policia i thotë dilni nga zyra.
Ky është akti i parë. A shkoi presidenti se sheh kërcënim se këto forma do thellohen apo se ka parë sondazhet, gjykoj që është e para.
Dhe në Elbasan, unë di që shkoi Rama dhe ishin ca e thanë ‘Rama ik’, nëse ka mbështetës të Ramës duhet të ketë një polici në mes. Kam shkuar në Gjermani, ishin në kishë ata dhe policia rrinte aty. Ishte festa e Gjermanisë. Ishin të rreshtuar këta kundër Kohl, filluan të bërtisnin, doli policia. Shoh disa që thonë Rama ik, por jo të dalin ca që të rrihen.

Ka shkuar ky i PD-së për së dyti dhe ky është akti i dytë, këta të parët nuk i arrestoi policia me sa pashë. Domethënë që akti i parë…dhe po të bëjmë një analizë të thjeshtë fare, dhuna tek ne përgjithësish ka qenë shtetërore. Pjesa tjetër o duhet të mobilizojë banditë, o duhet të nënshtrohet”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb