Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka reaguar për deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama sot në Elbasan ku shënjestroi LSI-në dhe Presidentin Ilir Meta.

Në një reagim në Facebook, Mehmetaj i përgjigjet akuzave lidhur me Presidentin. “Sa i takon Presidentit, mos ja qaj hallin, kur të gjeti punë edhe ty, vetes i ka dalë për zot me kohë!”,- shkruan Mehmetaj.

Ish-deputetja e paralajmëron ndër të tjera Edi Ramën se do të izolohet dhe nuk ka për të dalë i fituar nga zhvillimi zgjedhjeve pa opozitën.

STATUSI I PLOTE

I dështuar, i kompleksuar dhe tejet qesharak ke përfunduar Ed Kryeministri!

Megjithëse vitet si kryeministër të kanë pasuruar me para, shpirtin ta kanë nxirë më tepër se e ke patur, por edhe imagjinatën ta kanë varfëruar e ke arritur në pikën që nuk di ç’nxjerr nga goja.

Falli që sheh çdo ditë nuk po të pastron dot nga balta e krimit, që përtej faqes së qeverisë tënde, po nxin edhe faqen e Shqipërisë në sy të mbarë botës.

Edhe pse shpreson çdo ditë që filxhani të të tregojë ndonjë rrugëdalje, rrugëdalje nuk ka më e gjykimi do të të bëhet edhe ty në shesh, njësoj si frymëzuesit tënd.

Edhe pse doli nga goja jote e nxirë, është krenari për LSI të jetë partia që fut njerëzit në punë!

Edhe mos ki asnjë merak, sapo ti të rehatohesh i izoluar aty ku e meriton, me intensitet do punojmë që Shqiptarëve t’u kthehet mirëqenia që ti u mohove. Sa i takon Presidentit, mos ja qaj hallin, kur të gjeti punë edhe ty, vetes i ka dalë për zot me kohë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb