Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë procedurën e shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

Shehi u shpreh me tone ironike ndaj mënyrës se si, sipas tij, kryeministri po interpreton vendimin e Gjykatës, duke e krahasuar situatën me absurditetin e veprimeve të Don Kishotit.

“E mbani mend librin Don Kishoti? I thotë njëri-tjetrit: ‘Unë me arsye po mendoj se mosarsyeja e arsyes tënde më bën që me arsye të mendoj se arsyeja ime për mosarsye…’. Atë po bën Rama tani,” tha Shehi.

Ai sqaroi se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar vetëm procedurën e shkarkimit, duke e shpallur atë jo kushtetuese, por kjo nuk do të thotë se Veliaj rikthehet automatikisht në detyrë, pasi ndaj tij vijon një tjetër proces penal.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë se procedura për ta shkarkuar këtë është jo kushtetuese. Është mirë që kemi një institucion të pavarur, por mund të jetë edhe kjo: që ky zotëria, me njerëzit e vet, për kalkulime politike, i leverdis ky vendim. Uroj që Gjykata të ketë treguar integritetin e vet,” shtoi ai.

Sipas Shehit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ndikon në procesin penal që po zhvillohet ndaj Veliajt, i cili duhet të ndjekë rrugën ligjore përkatëse.

“Tani që Veliaj automatikisht del nga burgu? Jo, ky është një procedim tjetër penal, nuk ka të bëjë me interpretimin kushtetues. Tani Veliaj vijon procesin normal. Vendimi nuk e kthen fizikisht në detyrë,” theksoi ai.

Në përfundim, Shehi u shpreh se nëse prokuroria e konsideron të arsyeshme që Veliaj të gjykohet në gjendje të lirë, kjo nuk do të ishte një dramë politike apo ligjore, por pjesë normale e procesit gjyqësor.

“Nëse prokurorët gjykojnë se ai mund të gjykohet në gjendje të lirë, le ta bëjnë. Nuk shoh ndonjë dramë të madhe,” përfundoi Shehi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb