SHKUP- Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë si dhe zërat kundër platformës antishqiptare. Me anë të një mesazhi nga zëdhënësja e përfaqësues se Lartë të BE-së, Maja Kocijançiç, pohoi se BE nuk merr në konsideratë letrën e presidentit Gjeorgje Ivanov.

Në përgjigjen drejtuar televizionit Alsat lidhur me komentimin e letrës së kreut të shtetit që kërkonte dënimin dhe hedhjen poshtë të platformës shqiptare nga Brukseli, Kocijançiç tha se mesazhet e dërguara një javë më parë nga Mogerini ishte të qarta dhe është presidenti ai që duhet ta rishqyrtojë vendimin e tij. “Jemi në dijeni të letrës së presidentit Ivanov. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë presidentit, të respektojë rezultatin zgjedhor, të veprojë në përputhje me Kushtetutën, të respektojë shumicën e qartë parlamentare, të lejojë procesin demokratik të rrjedh. Kështu, i bëjmë thirrje presidentit që ai të rishqyrtojë qëndrimin e tij aktual dhe të mundësojë formimin e qeverisë së re” -deklaroi Maja Kocijançiç, zëdhënëse e BE-së.

Bashkimi Evropian komentoi tërthorazi edhe platformën shqiptare. Ky dokument, sipas Brukselit, si pjesë e mundshme e programit qeveritar duhet të jetë në përputhje me kushtetutën.

“Sikurse kemi theksuar disa herë, nuk do të spekulojmë ose komentojmë mbi ndonjë program qeveritar specifik i cili duhet sigurisht të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit. Por ne presim formim të shpejtë të qeverisë së re e cila duhet të jetë e angazhuar në implementimin e reformave të prapambetura. Do të vazhdojmë të këmbëngulim në zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Përzhinës dhe Prioriteteve nga Reformat Urgjente. E gjithë kjo është thelbësore, në mënyrë që të rikthejmë vendin në rrugën e BE-së, atë që dëshirojnë dhe meritojnë qytetarët e vendit” – tha Maja Kocijançiç, zëdhënëse e BE-së.

Brukseli ritheksoi fuqishëm mesazhet e qarta të dërguara javën e kaluar rreth marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, për hir të paqes, stabilitetit dhe ardhmes evropiane të rajonit si një i tërë. Në korrespondencën me Alsat, Kocijançiç përsëriti thirrjen drejtuar cilitdo aktori dhe qytetari, që të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që mund të nxisin tensione, sikurse edhe ato ndëretnike, apo që mund të minojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb