Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, që tashmë është tërhequr nga futbolli i luajtur, ka qenë në dijeni të akuzave që janë hedhur në drejtim të tij nga UEFA, e cila në raportin e saj e sheh atë si një nga njerëzit kryesorë në trukimet e ndeshjeve.

“Nuk e kam parë këtë që ka dalë sot (dje), por e di që më kanë akuzuar edhe mua, pasi që në fillim ma kanë thënë çfarë është thënë atje për mua. Isha unë, Vrenozi dhe të tjerë. Kanë thënë dhe që mua më ka rritur Takaj të Tropikali”, është shprehur ish-mesfushori, që normalisht nuk i vjen mirë në lidhje me akuzat që i adresohen nga institucioni europian i futbollit, në fundin e karrierës së tij futbollistike.

“Natyrisht që nuk më vjen mirë, pasi nuk janë akuza të lehta apo normale, por ky është një budallallëk dhe unë nuk kam çfarë të them. Nëse do të ishim në ndonjë shtet tjetër, natyrisht që do t’i hidhnim në gjyq, pasi këta pa prova të nxjerrin emrin. Jetojmë në Shqipëri dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka vazhduar Shkëmbi në deklaratën e tij, duke treguar se nuk e ka pritur aspak mirë akuzën që i është bërë nga UEFA.

Pastërtia
Por, pavarësisht akuzave për trukime të cilat e kanë vendosur në një pozicion delikat, Shkëmbi është i bindur për pastërtinë e tij.
Sa për faktin e pastërtisë, unë jam i qetë me veten time. Aty, në ato që shkruhen, ka shumë budallallëqe që vetëm injorantët mund t’i besojnë”, ka vazhduar Shkëmbi, i cili nga UEFA shihet si një nga njerëzit kryesorë në krah të presidentit Takaj, në skemën e ndeshjeve të trukuara nga ana e klubit korçar.

Në mbyllje të deklaratës së tij, Shkëmbi ka thënë: “Më kanë thënë edhe të tjerë që unë isha kryesori, që më ka rritur Takaj dhe isha të ai grupi ‘Tropikalit’, apo kisha foto me Vrenozin e budallallëqe të tjera. Kështu që nuk kam çfarë të them tjetër”, ka mbyllur Shkëmbi/PanoramaSport
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb