TIRANE – Njeriu i dronit nuk do të jetë në “Elbasan Arena”. Ai që deri dje ishte heroi i të gjithë kuqezinjve, nga FSHF u bë njeriu i padëshiruar në stadium. Kryetifozi, i cili u prit nga lojtarët e Kombëtares në grumbullim në Danimarkë për të bërë foto me të, nuk do të lejohet që të jetë në një nga ndenjëset e “Elbasan Arena”-s për takimin e 8 tetorit. Një konfirmim të tillë e ka dhënë sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

“Ballist Morina nuk do të jetë në stadium. Është 1000% e sigurt”, u shpreh Shulku në përfundim të deklaratës së tij për mediat. Pas këtij njoftimi, ka ardhur një reagim nga vetë ai që ka pranuar autorësinë e dronit në Beograd. Morina, fillimisht shpreh keqardhjen që nuk do të jetë në stadium. “Unë nuk jam terrorist dhe s’do të përleshesha me huliganët serbë në ‘Elbasan Arena’, prandaj më vjen shumë keq që jam ndaluar të jem i pranishëm në stadium për të parë ndeshjen 8 tetorit”, ka deklaruar Ismail Morina, i cili njihet si Ballisti për “Java News”.

Megjithatë, ai shprehet se do të pranonte që të privohej nga ndjekja e ndeshjes në stadium, porse vendimi të mbahej i fshehtë. “Do të ishte më mirë që FSHF-ja së bashku me Policinë ta mbanin të fshehur këtë vendimin duke mos e bërë publike. Megjithatë, unë i uroj suksese kombëtares përballë serbëve dhe kualifikim në Europian”, përfundon tifozi. Një vendim që duket se ka ardhur si pasojë e presionit nga pala serbe, pas vendimit të KAS-it për t’i dhënë tri pikët Shqipërisë. Pas këtij lajmi, në rrjetet sociale ka pasur një sërë komentesh ironike në lidhje me moslejimin e Ismail Morinës në stadium. “Edhe në Beograd nuk ishte në stadium”, ironizon një nga komentuesit e shumtë në rrjetet sociale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: