TIRANË – Vetëm 570 USD në arkën e emergjencave dhe 37.4 milionë USD borxhe për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore – kjo është trashëgimia që ka marrë qeveria aktuale nga qeveria “Berisha” për të trajtuar emergjencat civile gjatë mandatit të saj, të cilat nisën me përmbytjet në jug të vendit.

Kryeministri Rama ka risjellë kështu, shifrat, për t’iu kundërvënë të gjitha akuzave që Partia Demokratike i ka drejtuar sot në Parlament, kabinetit të tij qeveritar, për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura.

Nën titullin “Në kujtesë e thjeshtë për qytetarët pa dallim”, Rama shkruan në rrjetet sociale:

“E di që e dini kush janë, por mos harroni teksa i dëgjoni këto ditë që: Lanë në arkën e shtetit për emergjencat vetëm 57 mijë lekë, ose 570 dollarë.

Fondin prej 1.2 miliardë lekë (1.2 milion dollarë) të planifikuar për emergjenca civile për të gjithë vitin e shpenzuan në 8 muajt e parë të vitit 2013, sidomos para dhe gjatë fushatës, në muajt prill, maj, qershor – në atë kohë kishte vetëm një emergjencë dhe ishte emergjenca e panikut prej humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.

Përveç 57 mijë lekëve në arkë, na lanë në kurriz edhe një borxh prej 37.4 miliard lekë (37.4 milion dollarë). Nga këto:
• Borxh ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës gjatë periudhës Dhjetor 2010- Janar 2011 në vlerën 21.4 miliardë lekë (21.4 milion dollarë) – të cilëve i’u premtuan me bujë të madhe se do t’u kthenin çdo qindarkë dhe madje do t’ua bënin Lumin Buna një lumë turistik për shëtitje me varka në kohën e lirë.

• Borxh i mbledhur në vite ndaj familjesh të tjera të prekura nga fatkeqësi të ndryshme natyrore në vlerën16 miliard lekë (16 milion dollarë).

Gjithashtu lanë në magazinën e rezervave të shtetit për emergjencat, lëndët dhe sasitë si më poshtë – kini parasysh se po ata, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.1128, datë 05.08.2008, kishin parashikuar limitet minimale të domosdoshme në rezervat e shtetit, sipas shifrave të renditura në kolonën djathtas:

Emertimi / Gjendje / Limiti minimal
Sheqer 85 kg 40.000 kg
Miell 30.500 kg 200.000 kg
Oriz 0 kg 40.000 kg
Fasule 0 kg 30.000 kg
Konserva mishi 241 kg 10.000 kg
Cizme gome 6 palë 8000 pale
Karburant 0 litra 100.000 litra

Edhe një sqarim krahasues: Përveç rivendosjes së normalitetit ligjor në raport me fondin e emergjencave dhe rritjes së rezervave të shtetit, gjatë vitit të shkuar, pra për periudhën Janar 2014 – Janar 2015, qeveria ka akorduar dëmshpërblim për familjet që figurojnë në listën e mësipërme të borxheve, në masën 5.66 miliardë lekë (5.66 milion dollarë).

Ndërkohë që në vitet 2005 – 2013 janë bërë dëmshpërblime jo vetëm qesharake në raport me totalin e borxhit, po edhe tërësisht selektive në raport me nevojat. Për shembull në vitin 2013 janë dhënë dëmshpërblim vetëm 81.800 dollare dhe në vitin 2013, rroftë sebepi e zgjedhjeve, 190.000 dollarë…Faleminderit per durimin,” shkruan Rama në përfundim të mesazhit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb