Skënderbeu reagon zyrtarisht për incidentin e ndodhur në Fushë-Krujë, kur përpara ndeshjes u dhunuar nga një grup tifozësh tre futbollistë bardhekuqe. Në qëndrimin e tyre, klubi korçar deklaron se dhuna e fillimtakimit, ishte diçka e organizuar me qëllim për të goditur psikologjikisht fubollistët e Skënderbeut

Reagim:

Duke marrë shkas nga ngjarjet e pragndeshjes së sotme, KF Skënderbeu dënon fuqishëm aktet e ndodhura në Fushë-Krujë dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Kemi vënë në dijeni sot të gjithë opinionin futbolldashës me reagimin e përpara fillimit të takimit, ku janë goditur qysh në hyrje tre lojtarë të Skënderbeut. E themi me bindje se ky vandalizëm ndaj nesh ka qenë i mirëogranizuar deri në detaje, aq më tepër në hyrje të stadiumit kur njerëz të paautorizuar janë vërsulur ndaj lojtarëve tanë duke përfituar edhe nga kushtet e papërshtatshme që ka stadiumi ku u luajt edhe ndeshja por edhe nga mungesa e forcave policore apo sigurisë private.

Sigurisht që kjo ngjarje ndikoi edhe në mbarëvajtjen e ndeshjes, por me këtë nuk duam të justifikojmë aspak humbjen që pësuam në këtë takim të javës së 20-të.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit sa më parë që të merren masa për incidentin e ndodhur sot në Fushë Krujë dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në vijim të sezonit për një mbarëvajtje sa më të mirë të garës.

KF Skënderbeu kërkon me ngulm nga organet kompetente nisjen e hetimeve, zbardhjen e plotë të çështjes dhe evidentimin e autorëve të këtij incidenti të mirëorganizuar paraprakisht, ndryshe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” do të rishikojë vazhdimin e garës deri në fund.

Edhe njëherë nuk duam të justifikojmë humbjen, por atë që pa me sytë e vet sot ekipi në takimin ndaj Kastriotit vetëm për futboll nuk mund të flitet më pas.

Në pritje të reagimit të organeve kompetente.

Me respekt,
Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb