Vetëm pak muaj më parë, e ardhmja e Kristiano Ronaldos dukej larg Realit të Madridit. Por, situata ka ndryshuar në mënyrë drastike, ashtu siç ndodh rëndom në këtë sport. Gjatë javës së fundit, klubi ka njoftuar yllin portugez se ata kanë ndërmend që t’i rishikojnë kontratën, duke i ofruar rinovimin me një rrogë më të mirë. Sipas asaj që raporton “AS”, presidenti Florentino Perez do të mbajë premtimin që i ka bërë sulmuesit pas finales së Kardifit. 33-vjeçari ka kërkuar me ngulm rinovimin e akordit aktual, për t’iu afruar rrogës së rivalit të tij, Lionel Mesi, pas rinovimit me Barcelonën. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, Perezi shprehej publikisht se klubi nuk kishte ndër mend ta rishikonte kontratën e lojtarit më të mirë.

Por, “AS” ka mësuar se Drejtori i Përgjithshëm, Hoze Angel Sançez, e ka informuar futbollistin për planin e klubit, për t’i ofruar një kontratë të re, duke i rishikuar termat financiarë. Për momentin, detajet e sakta se sa do t’i rritet rroga “Topit të Artë” nuk janë diskutuar ende, por CR7 është shprehur shumë i kënaqur nga kontakti i parë që ka pasur me klubin për këtë temë dhe propozimin e ka pritur pozitivisht. Plani është që kontrata e re të jetë firmosur përpara se të nisin finalet e Botërorit në Rusi.

SHIFRAT – Burime pranë Realit bëjnë me dije se portugezi pritet të përfitojë një rritje rroge prej 9 milionë eurosh në sezon. Aktualisht ai fiton 21 milionë euro neto, një shifër që do të shkojë në 30 milionë plus dy milionë të tjera që do të jenë bonuse. Një rrogë e tillë do ta afronte atë me pagën që përfiton Nejmar te PSG (35 milionë euro), por ai do të mbetej ende larg 45 milionëve që Mesi dërgon në shtëpi. Kohëzgjatja e kontratës së Kristianos nuk do të ndryshojë, ajo do të vijojë të skadojë në qershor 2021.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/reali-i-ofron-rinovimin-rroge-faraonike-per-ronaldon/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: