Pasi siguruan shërbimet e Kylian Mbappe, Real Madrid ka vënë në shënjestër një tjetër yll të futbollit botëror, Rodrin e Man.City. Interesimi i gjigandëve spanjoll me sa duket tremb “qytetarët” të cilët janë vënë në lëvizje për të blinduar yllin e ekipit. Rodri ka një kontratë të vlefshme deri në 2027, por drejtuesit e Man.City janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë të re deri në 2030, sigurisht me kushte ekonomike të përmirësuar ndjeshëm.
Sipas Ok Diario, sheikët e City i ofrojnë mesfushorit spanjoll 23,5 milionë euro në sezon, afro 450 mijë euro në javë. Nëse Rodri do të pranonte këtë kontratë do të shndërrohej në lojtarin më të paguar te Man.City duke kaluar edhe dy yjet e tjerë si De Bruyne dhe Haaland, të cilët janë aktualisht lojtarët më të paguar në skuadër.
Man.City e tremb edhe një tjetër detaj, Rodri nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për t’u bashkuar në një ditë me Real Madrid, të rikthehet në Spanjë ku më herët ka veshur fanellën e Atletico Madrid dhe Villareal. Rodri konsiderohet aktualisht si një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij. Me fanellën e Man.City, Rodri ka fituar 1 herë Champions League, 4 herë Premier League, 2 Superkupa Evropë e shumë trofe të tjerë në Angli.
(BalkanWeb)