“Deri sa të ketë një vaksinë duhet të jetojmë me rregulla dhe të jemi qytetarë të përgjegjshëm”. Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një intervistë për News24.

Ajo tha se edhe me lehtësimin e masave, do ketë rregulla që janë në të mirë të qytetarëve.

“Kemi një rritje mesatare të qëndrueshme, kurba po ngjitet në kodër por jo në malin që do ngjitej nëse nuk do kishim marrë disa masa. Nëse nuk do kishim marrë këto masa do ishim më shumë se 3 mijë të prekur.
Realiteti që ne do përballemi së shpejti do jetë realiteti i të jetuarit me COVID-in por e një mënyre të re të jetuari me rregulla dhe këto rregulla do jenë vetëm për të mirën tonë. Lehtësimi me pikatore do të jetë bashkëshoqëruar me rregulla shumë të forta për ata të cilët do shkelin rregullat që nuk do zbatojnë oraret. Edhe vendet që sot kanë prekje më të ulët apo po e përballojnë më mirë këtë situatë janë ato vende që kanë besim tek qeveria. Ky është armik që luftohet duke zbatuar rregullat. Të moshuarit duhet të trajtohen me një plan social mbështetje. Familjet që kanë më shumë problematika dhe vuajnë më shumë anën ekonomike dhe sociale”, deklaroi Manastirliu.

Sa i përket gjendjes në spitale dhe numrit të viktimave, Manastirliu tha se për 90-vjeçarin që humbi jetën sot shkaku kryesor ishte tromboembolia pulmonare.
“Unë pikë së pari i shpreh ngushëllimet familjes për humbjen. Analiza e mjekëve ka qenë e qartë. Lidhet me tromboembolinë pulmonare si shkak parësor shoqëruar nga COVID”, tha ajo.

Manasitrliu foli dhe për mjekimet dhe protokollet që ndiqen nga mjekët shqiptarë në dy spitalet COVID.
“Ne përdorim të tërë ato protokolle apo linja trajtimi si në spitale të botës.
Kemi përfshirë tocilizumab, hydroxychloroquine të gjithë trajtimet që po përdoren në botë. Kemi vendosur që me OBSH të jemi pjesë e një studimi klinik dhe për herë të parë merr pjesë Shqipëria.
Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha ministrja, raporton “BalkanWeb”.

Sa i përket gjendjes së dy mjekëve Dhimitër Kraja dhe Roland Xhaxho, Manastirliu deklaroi se Kraja është i shëruar dhe ka shprehur dëshirën të rikthehet sërish, ndërsa Xhaxho është në gjendje të stabilizuar.

“Për profesor Krajën konsiderohet i shëruar sepse dhe në testin e radhës ka rezultuar negativ. Gjendja e tij është e kënaqshme dhe ndodhet në shtëpi. Ai është një luftëtar i paepur dhe thotë se do të rikthehem prapë. I kam thënë qëndro.

Sot kam kontaktuar me dr. Xhaxhon dhe ishte në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ai më tha unë jam këtu por dua të shoh edhe pacientët e tjerë. mendoj se shembuj të tillë janë shembuj frymëzimi dhe forca e tyre është dhe forca ime për të përballuar këtë situatë. Jam me ta, me gjithë ekipin shëndetësor që janë në vijën e parë të luftës kundër COVID-it”, deklaroi ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb