TIRANE- Realizohen 4 transplantet e para të veshkave me financim 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në spitalin amerikan dhe spitalet e tjera jopublike.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga drejtori i FSDKSH-së, Astrit Beci, vizitoi sot në mesditë një prej spitaleve jopublike të kontraktuara, ku ndoqën nga afër rezultatet e ndërhyrjeve kirurgjikale falas të transplantit të veshkës për katër pacientët e parë, të cilët kanë përfituar nga paketat e financuara 100% nga Fondi, pa asnjë kosto shtesë, edhe në spitalet jopublike.

Duke folur për mediat e pranishme, Ministri Beqaj sqaroi se “këto janë katër rastet e para të transplanteve me financim të plotë nga Fondi pa asnjë pagesë shtesë nga pacientët dhe ne do të vijojmë financimin edhe gjatë këtij viti”. Kostot për përfituesit e këtyre paketave mbulohen 100% nga Fondi, si në rastin e marrjes së shërbimit në spitalet publike, ashtu edhe në ato private.

Ndërkohë, drejtori i FSDKSH-së, Beci theksoi vendosmërinë për ti shkuar deri në fund listës së pritjes për të kryer transplanto të veshkave në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë pacientë.

“Do të vijojmë gjithashtu edhe me ofrimin e paketave te tjera të dializës, kardiologjisë, kardiokirurgjisë, etj., si pjesë e realizimit të dhjetë paketave të shërbimeve shëndetësore pa pagesë të financuara nga Fondi”, – tha Beci.

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb