Stadiumi ku do të luhet derbi Partizani-Tirana më 6 mars është shndërruar në një çështje të nxehtë. Pavarësisht se dihet data dhe ora 19:00 e kësaj ndeshjeje, nuk është vendosur ende stadiumi se ku do të luhet. Kandidaturat janë dy, stadiumi “Partizani” ose “Air Albania”.

Drejtuesit e Partizanit kanë shprehur dëshirën për ta luajtur këtë ndeshje në shtëpinë e tyre dhe këtë mund ta bëjnë lirisht, pasi janë pritës dhe vendosin ata për vendin ku luhet ndeshja.

“Të mbarojmë ndeshjen e radhës, ka kohë për derbin” – është shprehur presidenti i Partizanit, Gaz Demi, duke lënë në ankth Tiranën dhe vetë FSHF-në, me këto dy të fundit që do të donin të luhej në “Air Albania”.

Për klubin bardheblu sepse do të kishte më shumë tifozë të tyre, fusha është më e mirë me tapet natyral, si dhe fakti që nuk kanë luajtur asnjëherë në stadiumin e Partizanit dhe nuk e njohin atë impiant.

Ndërsa për federatën, derbi i luajtur në “Air Albania” konsiderohet si një reklamë për futbollin shqiptar. Por si FSHF, ashtu edhe Tirana, nuk kanë fuqi juridike për të vendosur kur do të luhet derbi. Megjithatë, edhe për vetë Partizanin mund të rezultojë thikë me dy presa, pasi stadiumi i ri nuk garanton siguri maksimale për tifozët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb