Recesioni historik i shkaktuar nga pandemia e COVID-19 mund të dyfishojë varfërinë ekstreme në Britaninë e Madhe në dy milionë familje, përfshirë një milion fëmijë, sipas parashikimeve nga Universiteti “Heriot Watt”.

“Ky studim sasior merr parasysh masat e ndihmës qeveritare të njoftuara tashmë”, tha një zëdhënës i universitetit.

“Më shumë se 2,4 milionë persona ose ekuivalenti i një milion familjeve, tashmë në varfëri ekstreme në 2019 edhe para fillimit të epidemisë, përfshirë më shumë se gjysmë milioni fëmijë, përfaqëson një rritje prej 54% që nga viti 2017”, sipas një studimi paralel të kryer nga ky universitet.

Sipas studimit, ndërsa disa nga ata që preken më shumë nga varfëria ekstreme janë të pastrehë ose janë viktima të varësive, 81% e tyre nuk janë të tillë dhe 14% e atyre që janë në varfëri ekstreme punojnë.

Po sipas tij, prindërit e vetëm janë më të rrezikuarit, sikurse janë edhe personat me kushte kronike shëndetësore ose paaftësi.

“BM duhet të jetë një vend ku të gjithë të kenë mundësinë të jetojnë një jetë të shëndetshme, të denjë, të sigurt. Në vend të kësaj, shumë njerëz jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk janë në gjendje të përballojnë gjërat e domosdoshme, si të ushqyerit, strehimi larg të ftohtit dhe shiut dhe pastërtia” paralajmëroi fondacioni “Joseph Roëntree” në një njoftim për shtyp.

Recesioni historik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe masat për të kufizuar aktivitetin për ta ndaluar atë ka të ngjarë ta përkeqësojnë më tej situatën, duke pasur parasysh rritjen e papunësisë tashmë të vërejtur dhe që pritet të përkeqësohet në muajt në vazhdim.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb