TIRANE – Në sfidën e fundit përballë Marokut, ishte në rolin e liderit sepse mbante në krah shiritin e kapitenit. Mërgim Mavraj, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon paraqitjen e parë të skuadrës kuqezi dhe bën prognozën e Shqipërisë në këtë grup, ku përballë janë skuadra të niveleve të ndryshme.

Nëse për shumë nga lojtarët që ishin në fushë kundër Marokut skema me tre mbrojtës është e panjohur, Mavraj mund të quhet ekspert i saj, pasi në Bundesligën gjermane ka qenë ai që i ka dhënë në shumë qetësi dhe garanci Këlnit gjatë edicionit të kaluar.

Në prononcimin e tij, Mavraj nuk flet shumë për zgjedhjen e kapitenit, por konfirmon atë që gazeta ka njoftuar pas ndeshjes me Marokun, se nuk do të jetë ai që do të mbajë shiritin gjatë këtyre kualifikueseve. Sipas Mavrajt, lojtarët janë në formë të mirë dhe mbi të gjitha të vetëdijshëm se me çfarë cilësish e kanë arritur Europianin, në mënyrë që t’i ruajnë dhe t’i shfrytëzojnë edhe për këto kualifikuese.

“Dëshira kryesore është që të jemi në pozicionet dy apo tre dhe për të arritur diçka të tillë duhet të nisim me një fitore kundër Maqedonisë. E kemi nisur mirë, duke punuar dhe e vlerësuar kundërshtarin. Të tjerat t’ia lëmë 90-minutëshit”, shprehet ndër të tjera shtylla e mbrojtjes kuqezi në intervistën për gazetën.

Si ishte gjendja e skuadrës në këtë miqësore, ku rigrumbulloheni pas disa muajsh dhe sidomos pas pjesëmarrjes në Europian?

Gjendja fizike, në përgjithësi, ka qenë e mirë. Megjithatë, të gjithë ne kemi qenë të përkushtuar në fazë përgatitore me ekipet tona dhe kjo bën që lojtarët të mos kenë freskinë e duhur fizike. Kjo ka bërë që jo të gjitha skemat tona të funksiononin siç duhet gjatë ndeshjes së fundit, por ajo ishte e para dhe mbi të gjitha jemi optimistë për të ardhmen. Në përgjithësi, jemi mirë fizikisht dhe gati për të nisur edicionin e ri.

Pjesëmarrja në Europian a e ka ulur ndopak impenjimin dhe përkushtimin e futbollistëve në ndeshje si dhe në stërvitje?

Jo, jo përkundrazi. Karakteristika kryesore e këtyre djemve është që do të mbetemi me të dyja këmbët në tokë. Kemi shijuar atë që përjetuam, por gjithashtu jemi edhe të vetëdijshëm se me çfarë cilësish e arritëm. E dimë që na duhen prapë cilësi të tilla dhe mbase edhe më shumë për të arritur suksese të tilla.

Luajtët me shiritin e kapitenit në miqësoren me Marokun…

Ishte ndjesi e mirë, megjithatë ishte vetëm miqësore dhe nuk besoj se ka pasur domethënie të madhe.

Por, pasuat Canën pas tërheqjes së tij…

Mbetet thjesht miqësore. Ndaj Rumanisë e mbajti Ansi, për këtë ndeshje e mbajta unë. Gjithsesi do të shohim se çfarë do të ndodhë se cili do ta mbajë.

Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar se do të jetë Agolli. Ju e konfirmoni që nuk do të jeni kapiten?

Nuk di të them shumë, por nuk besoj se do të jem unë kapiten. Mbetet për t’u parë.

U provua një skemë në mbrojtje me tre dhe ndryshe nga të tjerët ju e keni aplikuar me Këlnin një variant të tillë. A është i përshtatshëm për Shqipërinë ky sistem?

Në përgjithësi, është shumë mirë kur skuadra di të përdorë disa variante loje. Kur përdor dy skema, kundërshtari e ka më të vështirë të na lexojë lojën dhe mënyrën se si ne do të sillemi në fushë. Kjo besoj që është një armë e fortë, kur ne mund të ndryshojmë gjatë lojës.

Me kundërshtarë si Maqedonia e Lihtenshteini, të cilët besoj se do të mbyllen prapa për të marrë pikë, them që diçka e tillë na ndihmon. Ndryshe ndodh me ekipe si Italia e Spanja, me të cilat mendoj se mbrojtja me katër është më e përshtatshme dhe na shërben më shumë.

Gjëja kryesore është të dimë që të luajmë me të dyja skemat. Se kur përdoret njëra dhe kur tjetra, është llogari e ekipit dhe e trajnerit në varësi të kundërshtarit.

Së fundmi luajtët në qendër përkrah Gjimshitit. Si u ndiet, ndërkohë që më parë keni luajtur përkrah Canës apo edhe Ajetit?

Jemi ndier shumë mirë dhe kuptoheshim mjaft mirë. Për mua nuk përbën asnjë dallim se kush luan afër meje. Kombëtarja ka provuar disa dyshe mbrojtjeje që janë përshtatur. Me Norvegjinë ka luajtur Loriku me Telin. Më vonë e kujtoj Lorikun me Currin dhe pavarësisht ndryshimeve, mbrojtjet janë sjellë mirë. Edhe këtë herë nuk do të jetë asnjë problem se cili aktivizohet.

Sa e njihni Maqedoninë dhe a keni nisur ta analizoni?

Po, kemi nisur ta analizojmë. Nuk di shumë rreth saj, por me aq informacione sa kam di që është një skuadër me cilësi dhe me lojtarë mjaft të mirë. Ne kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje dhe kemi kërkesë të lartë nga vetja jonë. Kemi besim se do t’ia dalim, sepse luajmë në vendin tonë, kemi dëshirë të madhe për të bërë mirë, pavarësisht grupit që është shumë i fortë.

Dëshira kryesore është që të jemi në pozicionet dy apo tre dhe për të arritur diçka të tillë duhet ta nisim me një fitore kundër Maqedonisë. E kemi nisur mirë, duke punuar dhe e vlerësuar kundërshtarin. Të tjerat t’ia lëmë 90-minutëshit./panoramasport/
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: