Nga: ZONJA VJOLLCA *
Receta për bebe
MENGJESI I EMBEL
3 lugë gjelle drithëra të bluara
200 ml qumësht
3 biskota

Vendosim në zjarr qumështin me drithërat e bluara dhe i lemë të ziejnë. Në fund shtojmë biskotat dhe e lemë mëngjesin të ftohet.

MENGJES I KRIPUR
3 lugë gjelle tërshërë
1 lugë gjelle gjizë
1 lugë kafeje vaj ulliri

Vendosim tërshërën të ziejë për 3-4 minuta dhe më pas e vendosim në blender duke shtuar një lugë gjizë dhe një lugë kafeje vaj ulliri. Këtë mëngjes mund ta shoqërojmë dhe me një vezë të zier për 4 minuta.

VAKTI PARA OSE PAS DREKES

200 ml kos
1 lugë gjelle boronicë
1 lugë kafeje mjaltë

Të gjithë këta përbërës i kalojmë në blender.

VAKTI I DREKES
QOFTE ME PERIME DHE MISH PULE

100 gr mish pule
100 gr brokoli
1 karrotë
1 kungull
¼ qepë të vogël
½ vezë
1 lugë gjelle tërshërë
Pak kripë ose 1 lugë kafeje djathë parmixhano

Ziejmë brokolin për 4 minuta. Të gjitha perimet e tjera i grijmë në rende. Gjithashtu dhe mishin e pulës e grijmë. Të gjithë përbërësit i trazojmë në një tas, më pas shtojmë në të vezën dhe tërshërën e bluar. Realizojmë qofte të vogla të cilat i vendosim në një tepsi me letër kuzhine. I vendosim qoftet në furrë në temperaturën 180 gradë për 20 minuta. Qoftet mund ti shoqërojmë me pak makarona për fëmijë.

VAKTI I DARKES
SUPE KREM KUNGULLI

100 gr kungull i verdhë
100 gr patate
1 lugë kafeje xhinxhër
Lëng mishi
100 ml qumësht
1 lugë kafeje djathë parmixhano
1 lugë kafeje vaj ulliri ose gjalpë të freskët

Fillimisht vendosim në furrë kungullin për ta pjekur. Në një tenxhere vendosim një lugë kafeje vaj ulliri ose gjalpë të freskët, shtojmë fare pak xhinxhër, pataten e qëruar të prerë në copëza të vogla dhe lëngun e mishit dhe e lemë të ziejë për 30 minuta. Më pas shtojmë tulin e kungullit të pjekur. Në fund e kalojmë supën në blender duke e kthyer në krem. Shtojmë pak qumësht dhe e servirim të pudrosur me një lugë kafeje djathë parmixhano.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: