TIRANË

Teksa numri i infeksioneve të reja me COVID-19 ka njohur rritje të madhe gjatë muajit janar, ndryshe paraqitet situata në spital, ku ka një reduktim të urgjencave. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se nga ora 09:00 e ditës së sotme deri pothuajse në mesditë nuk ka pasur asnjë urgjencë në spitalin COVID 1. Ai tha se ata që vijnë në spital në gjendje të rënduar janë të moshave mbi 60 apo 65 vjeç.

“Numër i reduktuar urgjencash në krahasim me 10 ditë më parë. MSh ka raportuar rritje të shtrimeve, 157 në 2-3 ditët e fundit. Ata që vijnë në spital janë të sëmurë rëndë mbi 60 vjeç. Familjarët thonë se të afërmit e tyre janë të vaksinuar me dy doza të Astra Zeneca, e konsideruar një nga vaksinat më të forta në Shqipëri. Dominojnë rastet e pavaksinuara dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen. Në të gjitha rastet të sëmurët nuk e kanë kaluar COVID-19. Vetëm në një rast të raportuar pak ditë më parë një i afërm kishte deklaruar se i afërmi i tij i shtruar në spital e kishte kaluar covid-19. Ndërkohë që rastet e tjera të shtruara nuk janë riinfektime”, raportoi Skëndaj.

Sa i përket variantit dominues në vend, ai tha se është Omicron, por se shtrimet sipas mjekëve janë me variantin delta të COVID-19.
“Sekuencimi viral nuk bëhet në Shqipëri dhe për të dalluar nëse është Omicron apo delta është vërtetuar përmes dërgimit të një laborator në Gjermani. Analizat nuk dërgohen më në Gjermani dhe vetë MSH ka deklaruar se Omicron është varianti dominues, por kjo është bërë jo në bazë të një studimi, por sipas ISHP, referuar dhe rasteve në Europë. Në Shqipëri është e pamundur të realizohet kjo analizë, që të bëhet sekuencimi viral, për të parë nëse rastet në spital janë apo jo me Omicron. Sipas mjekëve, dallimi mes Deltës dhe Omicron bëhet në bazë të shenjave klinike. Ata thonë se shtrimet janë me variantin delta për shkak të disa shenjave dhe ecurisë që kanë parë në rastet e mëparshme. Ndaj mjekët deklarojnë se rastet e rënda të shtruara në Infektiv i përkasin variantit Delta”, tha Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb