TIRANE- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtësme ka reaguar një ditë pas mbajtjes së referendumit në Maqedoni për çështjen e emrit me Greqinë.

Pavarësisht se në referendum u vërejt një numër i ulët i votuesve, MEPJ shqiptare thotë se inkurajon vijimin pa vonesë të procesit të mëtejshëm legjislativ dhe se të gjitha forcat politike në Parlamentin e Maqedonisë t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret votën PO të qytetarëve të Maqedonisë në mbështetje të Marrëveshjes së emrit me Greqinë, gjatë Referendumit të djeshëm konsultativ. Inkurajojmë vijimin pa vonesë të procesit të mëtejshëm legjislativ në Sobranie për të iniciuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen e arritur në Prespë, si rruga e vetme për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Është koha që të gjitha forcat politike në Parlament t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve dhe me konsensus të gjerë të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për avancimin e rrugës euroatlantike të vendit”- thuhet në deklaratën e MEPJ.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb