NGA: OLA MITRE*
Prej datës 1 shkurt në sistemin shëndetë sor ka nisur të zbatohet sistemi i ri i referimit të pacientit, ndërkohë që përmes një urdhri të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj janë ripërcaktuar tarifat e shërbimeve për personat e pasiguruar. Ajo që bie në sy është fakti se ata ndahen në dy kategori ntë ndryshme: persona të pasiguruar që dëshirojnë të marrin një shërbim në kujdesin shëndetësor parësor, ambulator apo spitalor, pa zbatuar fare sistemin e referimit dhe persona të pasiguruar që i drejtohen këtyre shërbimeve përmes sistemit të referimit. Dallimi mes dy kategorive është i qartë përsa i takon tarifave, duke qenë se ata persona që fillimisht i drejtohen mjekut të familjes e më pas është ai që në rast nevoje i rekomandon për te specialisti, do të paguajnë shumë herë më pak.

Krejt ndryshe paraqiten tarifat për ata persona që e shmangin këtë sistem, të cilët do të duhet të paguajnë tarifa disa herë më të larta. Ajo që vlen të sqarohet në këtë rast është fakti se çdo person në vendin tonë ka të drejtë të zgjedhë mjekun e familjes që dëshiron, çka do të thotë se zbatimi i sistemit të referimit dhe përfitimi i tarifave të ulëta është i mundshëm për këdo. Sa i takon personave të siguruar, ashtu sikurse më herët, ata nuk paguajnë asnjë tarifë, nëse zbatojnë me korrektësi këtë sistem. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh të plota tarifat përkatëse sipas shërbimeve shëndetësore në sektorin publik, të cilat mund t’i gjeni në tabelat bashkëngjitur shkrimit.

SISTEMI I REFERIMIT
Sipas urdhrit të Beqajt, çdo person që ka nevojë të marrë shërbim në institucionet shëndetësore publike duhet të paraqitet fillimisht tek mjeku i familjes apo mjeku i përgjithshëm. Në momentin e paraqitjes, personi i pasiguruar duhet të jetë i pajisur me kartën e identitetit, ndërsa personi i siguruar me kartën e shëndetit dhe kartën e identitetit. Nëse ky mjek gjykon që diagnostikimi apo trajtimi i rastit kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon për tek specialisti përkatës, pranë poliklinikës së specialiteteve në juridiksionin e së cilës ndodhet Qendra Shëndetësore. Ndërkohë që, mjeku specialist e trajton ambulatorisht pacientin, e shtron në spitalin bashkiak ose e referon atë për konsultë më të specializuar në poliklinikën e specialiteteve të rajonit përkatës, duke e pajisurm me rekomandim.

Përjashtim nga rregulli i mësipërm bëhet për Bashkinë Kamëz, Vorë dhe Tiranë. Në këto bashki mjeku specialist e referon pacientin sipas rastit në shërbimet e konsultave përkatëse pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë. Ndërkaq, në bashkitë e tjera, pacienti që trajtohet në një spital bashkiak dhe ka nevojë për diagnostikime, ekzaminime dhe trajtime që nuk sigurohen nga ky spital,m dërgohet me epikrizë shoqëruese në spitalin rajonal pas konsultës së firmosur nga mjeku kurues dhe shefi i shërbimit spitalor. Sipas rastit dhe nevojës për shërbim shëndetësor, referimi i pacientit mund të vijojë pranë spitaleve universitare. Nga ky rregull përjashtohen urgjencat mjekësore ekstreme ose sipas rekomandimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, kur pacienti shkon ose transportohet direkt në spital. Të gjitha shërbimet e urgjencës mjekësore ofrohen pa pagesë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: