Në këto memente te ekipi i Tiranës ka patur shumë lëvizje, kjo edhe për faktin se jemi kohë merkatoje, por ajo që ka mbetur e pasqaruar për të gjithë opinionin sportiv është çështja e stadiumit me Korabin dhe për këtë është rikthyer të flaës presidenti i Tiranës Refik Halili. Numri 1 i “bardhebluve” i ka akuzuar ashpër dibranët si dhe i cilëson ata fajtorë për mos akordimin me Partizanin që këta të fundit të luanin në “Selman Stërmasi”.

“Korabi ka bërë një kërkesë te Tirana përpara Partizanit për t’i zhvilluar ndeshjet në stadiumin tonë. Unë i mirëkuptova njerëzit që më thanë dhe me dashamirësi firmosa marrëveshjen. Mirëpo, klubi i Korabit nuk u tregua 100% korrekt me pagesat dhe unë e kam toleruar këtë gjë. Drejtuesit e Korabit u treguan njerëz të paskrupullt. Kur ne zhvilluam ndeshjen Tirana-Partizani, unë mora vesh që Korabi kishte marrë vendimin për t’u larguar nga stadiumi ynë.

Nga ajo ditë, ata nuk morën mundimin të na lajmëronin. Ata ikën vetë, disa ditë përpara se të zhvillonim ndeshjen së bashku. E bënë këtë gjë për të më nxjerrë mua keq dhe për llogari të Partizanit. U treguan shumë të poshtër. Në momentin që presidenti Demi më kërkoi stadiumin, unë i thashë që kam kontratë me Korabin dhe nuk e dija që Korabi ishte larguar”, u shpreh Refik Halili i ftuar për “ora sport”.

Ilir Daja
“Ishte një vendim që e mora për të mirën e skuadrës dhe e largova atë për shkak të rezultateve të dobëta. Këtë duhet ta mësojnë të gjithë, që Daja u largua vetëm për rezultate. E di që Josa ka 2 pikë më pak se Daja, por unë nuk mund të parashikoj atë që ndodh në të ardhmen. Ndoshta mund të jemi edhe më keq, por lëvizjen e bëra vetëm për mirë. Unë i uroj suksese Dajës me Skënderbeun”.
Reuben-Akua
Merkato
“Nuk është e vërtetë që s’kemi bërë afrime cilësore. Përveç Merveil, edhe Akuah është një lojtar i mirë. Vetë Josa ka thënë se do të ketë të ardhme. Edhe të tjerët kanë bërë mirë. Për Merveilin ka shumë skuadra të interesuara dhe më afrojnë 700 mijë euro. Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë për Tiranën. Lojtarët e tjerë të huaj kanë përgjegjësi dhe në rast se nuk shënojnë më shumë apo të kenë rezultate më të mira, sigurisht që do të kenë përgjysmim të pagës. Edhe menaxherët që i sjellin e dinë këtë gjë”.

Largimet
“Vucaj është një djalë shumë i mirë dhe më ka kërkuar minuta më shumë te Tirana. E kam trajtuar si vëlla të vogël, por unë nuk mund të bëj formacionin. Ai do të largohet për në një ekip tjetër dhe po diskutojmë diferencën e pagës. Thuajse kemi arritur marrëveshjen. Mustafa? Është i dëmtuar prej shumë kohësh dhe mjekët thonë se nuk është i aftë për të luajtur. Ai nuk pranon dhe thotë se është gati. Nika është larguar, por edhe Papa gjithashtu mund të ikë”.

Bakaj
“Ai kërkon të luajë jashtë Shqipërisë dhe mua më vjen mirë që të marrë sa më shumë para, por sigurisht që nëse qëndron në Shqipëri, ai thotë se Tirana do të jetë zgjidhja e parë”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb