Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për mediat, ka treguar se si është duke vijuar procesi i fiskalizimit, norma e inflacionit aktualisht në vend, si dhe ka shpalosur planin e këtij dikasteri për të ardhmen.

Ajo tha se procesi i fiskalizimit pritet të përfundojë plotësisht në muajin korrik të këtij viti, ndërsa shtoi se një pjesë të gjobave për bizneset janë falur.

“Drejtoria e Financave ka qenë e kujdesshme për të ndjekur procesin e fiskalizimit dhe të ketë një qasje për arritjen e objektivit tonë që është përfundimi i reformës së fiskalizimit. Ka pasur shtyrje të vendosjes së penaliteteve deri në korrik, që është dhe afati i fundit që kemi vendosur për fiskalizimin. Ne kemi arritur të zerojmë stokun e TVSH që para fundit të vitit. Objektivi ynë është që stoku të ishte zero dhe këtë e kemi realizuar. Shifrat e rimburismit kemi pasur ulje, në krahasim me vitet e kaluara. Në vitin 2022, koha e kostos së rimbursimit do të ulet për të synuar rimbursimin automatik. Pjesa më e madhe e bizneseve do e marrin këtë rimburisn pa pasur nevojë ti nënshtrohet një kontrolli. Bizneset me risk të lartë do i nënshtrohen kontrollit. 86% e biznesit të madh ka nisur procesin e fiskalizimit, ndërkohë 70% e biznesit të vogël ka vijuar procesin. Administrata hetimore ka marrë masa që deri në fund të qershorit këto të jenë 100%. Rreth 30% e masave ë rekomanduara kanë qenë pjesë e paketës fiskale.

Për këtë vit parashikojmë të kemi rritje të të ardhurave. Reforma kryesore që ministria do të ndërmarrë do të jenë nga ana ekonomike, rritje e investimeve. Do të kemi plan masash për rritjen e produktivitetit. Sa i përket mbështetjes së bizneseve do të synojmë zhvillimin e një kuadri ligjor e do të garantojmë garancitë sovrane për bizneset. Dua të ndalem te informaliteti dhe te ajo çka është anonçuar nga kryeministri. Drejtoria e tatimeve, ka filluar një punë sa i përket informalitetit në paga. Kemi ndërmarrë një plan masash që ka vijuar, për subjekte që mendojmë se kanë risk me deklarimin e pagave. Data 20 janar, është data ku deklarohen listëpagesat dhe në bazë të të dhënave që kemi presim që bizneset të bëjnë një reagim për ndryshimin e pagave që janë të nën deklaruara. Janë individët ato që me deklarimin e pagave në mënyrë të rremë do të ndihet te këta. Nuk duhet menduar për sot, por për gjithë jetëgjatësinë e mirëqenies së familjeve. Ne kemi ndërmarrë një plan masash. Ky plan ka filluar, megjithatë do të presim datën 20, në mënyrë që të vijojmë me planin e masave që do të finalizohen me kontrolle të thelluara”.

Ministrja foli më tej edhe për inflacionin. Duke iu referuar muajit dhjetor të vitit që lamë pas, ajo thotë se inflacioni ishte 3.7 %. Shifër e lartë sipas saj, por e menaxhueshme dhe nuk është parë e nevojshme ndërhyrja e shtetit.

“Inflacioni për dhjetorin ishte 3.7%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë parashikime mesatare. 3.7% është inflacioni për dhjetorin e vitit 2021, krahasuar me atë të vitit 2020. Banka e Shqipërisë parashikon që gjatë vitit 2022 inflacioni të shkoj drejt targetit të saj. Dua të them që niveli 3.7% është i lartë, por duhet parë historia e inflacionit në muajt në vijim. Kjo është dhe arsyeja se pse banka e Shqipërisë merr politikat e saj për mos ndërhyrje duke qenë se situata nuk paraqitet shqetësuese. Dhjetori është një muaj atipik dhe ka paraqitur gjithmonë rritje të çmimeve. Nga muaji shtator, gusht e tutje ka pasur një rritje të çmimeve, jemi duke ndjekur me proces këtë. Do të shohim me kujdes e do të mendojmë për ndërhyrje”, përfundoi Ibrahimaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb