NGA ORNELA MANJANI*

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani firmos urdhrin për mbylljen e llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen nga reforma territoriale. Për rrjedhojë, rreth 6200 persona mbeten pa punë dhe buxhetit të shtetit i kursehen rreth 6 miliardë lekë. Të larguar nga puna janë 4900 këshilltarë, të cilët paguheshin me 10% të pagës së kryetarit të Njësisë së Qeverisjes Vendore dhe rreth 1250 punonjës administrate.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ministri Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, mbështetur në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për buxhetin e vitit 2015”. Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar e tremujorit III në masën 10% dhe ajo e tremujorit IV 10%, për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë më datë 1 korrik 2015.

Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri në datën 7 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore etj.), të muajit qershor, brenda datës 7 korrik 2015.

Sipas urdhrit të ministrit të Financave, të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në datën 7 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, të cilat shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri më datë 7 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore.

Urdhri i firmosur nga Shkëlqim Cani saktëson se deri më datën 20 korrik 2015, degët e Thesarit duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave, në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen e buxhetit, tepricën nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera të ardhura për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, si dhe detyrimet e prapambetura. Nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, kanë të drejtën e veprimit në degën përkatëse të Thesarit për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015.
Shkurtimi i shpenzimeve
Shpenzimet e administratës mendohet të ulen në rreth 40% dhe do të ketë një ulje drastike vetëm nga këshilltarët, si numër, nga 6500 që ishin gjithsej në 1595 këshilltarë. Ministria e Financave konfirmon se është i garantuar buxheti për pjesën e mbetur të vitit 2015 dhe një tjetër pjesë të buxhetit, prej rreth 20 milionë dollarësh, Ministria e Financave e ka gati për të mbështetur financiarisht ide, mendime, projekte, vizione të fituesve në zgjedhjet vendore. Sikurse është bërë e ditur, pas zgjedhjeve vendore, po hidhet një hap drejt procesit të projektbuxheteve afatmesme. Ministritë kanë buxhete afatmesme 3-vjeçare, bashkitë nuk i kanë ato dhe Ministria e Financave synon që edhe bashkitë të kenë buxhete afatmesme, në mënyrë që të shohin në një vizion 3-vjeçar.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: