Nga tryeza ku Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka mbledhur përfaqësues të universiteteve, biznesit, ekspertë dhe donatorë në fushën e mjedisit, ministri Blendi Klosi apeloi për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me të gjitha grupet e interesit në vendimmarrjet e Shqipërisë për detyrat që i dalin vendit nga Kapitulli 27 i Mjedisit.

Ministri Klosi theksoi se nga përvoja e vendeve të rajonit ky është një nga kapitujt më të vështirë që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të hapjes së negociatave për në BE.

“Në këtë kuadër edhe diskutimi i sotëm është për shumë pika që kanë të bëjnë me kapitullin 27 i cili shënon jo pak por plot të paktën 70 ndryshime ligjore dhe vendimmarrje të Këshillit të Ministrave për të cilën çdonjërën prej tyre ne duhet të kemi një diskutim të hapur publik”- tha ministri Klosi duke u shprehur se ftesa e bashkëpunimit shkon për 3 komunitetet; akademikët, biznesin dhe donatorët.

Minsitri Klosi theksoi se do të ketë rregulla më të forta për biznesin i cili do të duhet të ushtrojë aktivitetin e tij në standardet e kërkuara.” Respektimi i rregullave do të duhet të jetë shumë më i fortë dhe kontrolli mbi këto veprimtari do të duhet të jetë shumë më i madh” u shpreh ministri Klosi.

Transparenca me administratën , reforma institucionale dhe ndryshimet ligjore janë disa nga masat që ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë.  Duke iu referuar nismës për ndalimin e qeseve plastike ministri Klosi theksoi: “Bërja e Shqipërisë vendi i parë europian pa qese plastike mbajtëse është një nismë që kërkon të na cojë në një stad tjetër të gjithë debatit për Shqipërinë e pastër. Kërkojmë të ndërtojmë një destinacion turistik, por kemi të pamundur ta ndërtojmë atë me këtë situatë të qeseve plastike. Kërkojmë që të futemi në diskutimin europian të një Shqipërie të pastër, e kemi të pamundur të futemi në këtë diskutim pa dakordësuar trajtimin e mbetjeve urbane”

Ministri Klosi ftoi përfaqësuesit e tre komuniteteve të pranishëm në tryezë që të bëhen pjesë e vendimmarrjes për një Shqipëri të pastër dhe destinacion turistik europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb