TIRANE – “Reagimi i SHBA për reformën në drejtësi, është reagimi në patriot, më proshqiptar”. Kështu i komenton deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, drejtori i informacionit në News24, Enton Abilekaj. I ftuar në rubrikën “Opinion”, Abilekaj theksoi se palët në Shqipëri duhet të kenë besim tek garantimi i implementimit të reformës nga SHBA, në rast se kjo garanci u është dhënë nga pala amerikane.

“SHBA nuk është e interesuar se kush do ta përdorë procesin, por të bëhet një hap gjigand përpara për të luftuar korrupsionin në drejtësi. Ata duan që një sistem i kalbëzuar të shkatërrohet dhe të rindërtohet. Llalla ndihet i kërcënuar nga ky qëndrim i SHBA, dhe tha se do ta bëjmë vetë reformën në drejtësi. Sa herë ka dalë pala amerikane garant për marrëveshje të rëndësishme në Shqipëri gjithnjë ja kanë dalë. Mendoj që palët në Shqipëri duhet të kenë besim tek garantimi i implementimit të reformës, nëse kjo garanci u vjen. Sigurisht garancitë janë dhënë në tryeza, sepse nuk mund të ketë garanci publike për këto gjëra.”- deklaroi Abilekaj.

Drejtori i informacionit në News24 konsideron se frika e vërtetë e kësaj reforme është frika e marrjes së kontrollit politik të drejtësisë.

“Ligji nuk është garant i shmangies së kontrollit të politikës mbi drejtësinë, pasi gjithçka do kalojë nga parlamenti nga mazhoranca. Roli i prokurorit është një rol kolegjial. Që nga emërimet deri tek hetimi organi bëhet më kolegjial. Roli i presidentit behet inekzistent, bashkë me KLD që parashikohet të shkrihet. LSI do balancim forcash. Çdo lloj pushteti i ri që do krijohet në drejtësi të mos ketë kontrollin vetëm të socialistëve. Ky është qëllimi kryesor, jo pjesëmarrja ose jo e opozitës. Në e shohim që opozita është duke marrë pjesë me propozimet dhe amendamentet e veta, edhe në Komisionin e Venecias. Por opozita e ka deklaruar hapur që këtë draft nuk do ta votojë. Pikëpyetja është se kush do ta implementojë këtë reformë. Kryeministri është duke e mbështetur draftin bashkë me amerikanët. Qeveria rrezikohet nga ky draft dhe e mbështet draftin, dhe opozita që nuk rrezikohet nuk e mbështet draftin. Ata që kanë pushtetin nuk duan të humbasin terrenin. Kemi të bëjmë me interesa politike dhe interesa ekonomike të mëdha.”- vijoi Abilekaj.

Duke komentuar sondazhin për politikanin e vitit në BalkanWeb, Abilekaj tha se nëse votimi do të vijojë ashtu siç ka nisur në ditët e para të publikimit të sondazhit, atëherë rezultati do të jetë shqetësues për opozitën.

“Nëse do të vijojë kështu do të jetë shqetësues për opozitën. Është herët për të folur. Opozita është akoma në rindërtim, por ky sondazh me këto vota në fakt ka shumë për të shpjeguar. Kur të kemi gjithë votat, në datën 31 do të bëhet publikimi i sondazhit. Do kemi komente më vonë. Edhe kryeministri e di që ka një pakënaqësi shumë të madhe ndaj reformave të qeverisë. Ka shumë shifra që janë për tu shpjeguar. “- theksoi Abilekaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: