“Të vdekurit nuk mund të klithin për drejtësi. Është detyrë e të gjallëve të bëjnë drejtësi për ata”. Është një shprehje e thënë nga Lois McMaster Bujold, një shkrimtare e famshme amerikane e kohëve që jetojmë. Duket sikur i dedikohet pikë për pikë, historisë tonë për drejtësinë e munguar, ku ka shumë viktima të abuzimit me të drejtën e për të cilat dikush duhet të klithë për drejtësi.

Në historinë e shkurtër të shtetformimit shqiptar është e vështirë të gjesh një kohë kur institucionet kanë respektuar të drejtat e liritë e individit. Për 50 vite të komunizmit diktatura mohoi çdo liri e të drejtë, ku për pasojë pati mijëra viktima të drejtësisë së munguar. Ndërsa në këto vite të tranzicionit demokratik, është korrupsioni si kërcënim shumë serioz për liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

E tillë është historia jonë, e dominuar nga qeverisje diktatorësh apo liderësh autoritarë që kanë shtypur popullin në rastin më të keq siç ishte në komunizëm apo qeveri të korruptuara në rastin më të mirë, siç është historia e 28 viteve të fundit.

Është në fakt një deficit historik, është mungesa e përvojës demokratike, që vjen për shkak të mangësive të theksuara në zhvillimin socio-ekonomik, ku kanë gjetur shtrat për t’u formësuar elita autoritariste.

Në këto rrethana, “Rule of law” thënë shqip, sundimi i ligjit, ka qenë dhe vazhdon të jetë një term i huaj për përvojën shqiptare.

E megjithatë ky term ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e propagandës së udhëheqësve tanë. Tirania e diktatorit e përdorur me propagandë “pushteti i popullit” u zëvendësua formalisht me termin sundimi i ligjit, sepse elita post diktaturë trashëgoi tipare të asaj kohe të errët. Problemi është qysh në fillim. Për krimet e komunizmit nuk u shpall asnjë fajtor, nuk mori askush përgjegjësi dhe sistemi i ri i hodhi themelet në tokë të përgjakur.

Liderët e rinj të pas viteve 90 nisën refrenin e “barazisë para ligjit” duke e brohoritur bashkë me anëtarët e byrosë politik në sallën e kuvendit të Shqipërisë në parlamentin e parë pluralist.

Nis aty historia e re e drejtësisë shqiptare, në fillim të vitit 1991 me miratimin e dispozitave kushtetuese, për të vazhduar për 27 vjet përpjekje të rreme për drejtësi. Dhe ja ku jemi sot në fund të vitit 2018, ku ende sfida e parë dhe më e rëndësishmja mbetet konsolidimi i shtetit të së drejtës.

Elita aktuale politike, kryesisht mazhoranca e kohëve të sotme, po përpiqet të formësojë një reformë në drejtësi, nisur me zhurmë të madhe tri vite më parë. Nisi me një komision të posaçëm të reformës në drejtësi për të ecur me hapin e breshkës në proceset e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

Ata premtuan spastrimin e sistemit, brenda të cilit janë dosjet e padrejtësisë, të palosura njëra mbi tjetrën në 28 vite, duke krijuar një sistem të ndërthurur korrupsioni e influencash ndërmjet politikës dhe sistemit të drejtësisë. Është një gardh brenda të cilit askush nuk ka të drejta, vetëm ata: politikanë e gjyqtarë që ashtu të mbërthyer nga palët brenda gardhit, mbajtën peng njëra-tjetrën.

“Deri tani kemi pasur një drejtësi që adaptohej me çdo lloj pushteti, pra bënte një pakt të heshtur me çdo lloj pushteti, qoftë kur vinte e majta qoftë kur vinte e djathta. Se çdo ndodhi në të nesërmen ne nuk e dimë, por garancitë se nuk do të ndodhi prapë e njëjta gjë, ne nuk i kemi absolutisht. Sepse me gjithë sa kemi parë deri më tani,  ku janë këta njerëz me integritet, ku janë këta njerëz që krijojnë bindjen e publikut që po vihen në krye të drejtësisë. Më shumë kemi parë që të afrohen njerëz, të promovohen njerëz që kanë lidhje me njërin krah politik dhe këta nuk janë garanci për një drejtësi të pavarur, se sa vërtetë njerëz që janë të shquar në fushën e tyre”, thotë analisti Andi Bushati.

BILANCI I VETTINGUT

“Të kalosh vettingun, është si të kapërcesh varrin për së gjati…”, kështu do të duhej të ishte për të gjithë ata anëtarë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri që shkruan historinë e errët të padrejtësisë në këto 28 vjet.

“Kishte ardhur koha. Shqipëria nuk mund ta shtyjë pafundësisht me pandëshkueshmërinë në sistem. Sepse ta sqarojmë, reforma është konceptuar për të goditur pandëshkueshmërinë si gangrena shumë vjeçare e demokracisë në Shqipëri. Ligji nuk vepron në sferat e larta. Ligji nuk i kap ata që janë kasta elita klasa politike drejtuese, etj etj. Pra i erdhi koha”, thotë Preç Zogaj.

I pari ishte Fatos Lulo i cili nuk e kaloi provën duke u bërë viktima e parë e këtij procesi. Kështu nisi vettingu në sistemin e drejtësisë, plot 29 muaj pas votimit unanim në Kuvend të ndryshimeve Kushtetuese.

Përgjatë dhjetë muajve, 35 gjykatës dhe prokurorë të konsideruar si elita e drejtësisë e shumë syresh, që aderonin për të qenë pjesë e “drejtësisë së re”, nuk e kaluan provimin e vettingut.

Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra.

Pasojat e reformës, në më pas se 300 ditë, Gjykatës Kushtetuese iu vu dryni. Dy nga gjyqtarët kushtetues dhanë dorëheqjen, ndërsa pesë të tjerë, nuk e kaluan me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit. Mes tyre edhe kryetari Bashkim Dedja, i cili është edhe personaliteti më i spikatur i sistemit të drejtësisë, që u rrëzua gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.

Në godinën, ku një grusht njerëzish u bënë rojtarë të kushtetutës, për 26 vite me radhë, mbeti e vetme Vitore Tusha, edhe ajo me mandat të përfunduar. Nën këmbët e vettingut, ra si “kështjellë rëre” edhe gjykata e Lartë. Aktualisht ajo përbëhet nga vetëm 4 anëtarë. Fati i kryetarit të këtij institucioni Xhezair Zaganjori është në pikëpyetje, pasi vendimi për konfirmimin e tij në detyrë është ankimuar.

Procesi i rivlerësimit kalimtar kulmoi me shkarkimin e gjykatësit të lartë, Admir Thanza, për të cilin u zbulua një dënim për vjedhje firmosur nga drejtësia italiane. Për fshehjen e këtij rekordi kriminal, gjyqtari i karrierës është nën hetim tashmë.

Para institucionit të rivlerësimit doli edhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku. E ardhur në këtë post vetëm me votat e maxhorancës, Marku u kritikua ashpër nga vëzhguesi ndërkombëtar për aftësitë profesionale, për mungesë lidershipi, vizion të cunguar për drejtimin e institucionit, si dhe mungesë transparence në transferimin e prokurorëve.

42 njerëz të drejtësisë, u konfirmuan në detyrë, megjithatë në shumicë dërrmuese janë ankimuar në shkallën e dytë të vettingut nga Komisioneri Publik.

Për këtë proces të deritanishëm të vettingut, palët në politikë sigurisht qëndrojnë në dy fronte të kundërta. Për këshilltarin ligjor të PD-së, Vettingu është kryer në mënyrë selektive

“Kemi vendime me dy standarde, ku gjyqtarë për shumë pak shkarkohen nga detyra, ndërkohë që gjyqtarët e tjerë të korruptuar që nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre, apo që kanë dhënë vendime skandaloze gjatë këtyre viteve, konfirmohen ne detyrë për shkak se janë besnikë të qeverisë”, thotë Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i PD.

Kryetari i komisionit të ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja mendon se procesi ka qenë i drejtë.

“Nuk kam arsye të paragjykoj punën e një institucioni të pavarur siç janë komisionet e vettingut. Natyrisht ka pasur një proces dhe shpresoj që vendimmarrja e këtyre komisioneve të ketë qenë objektive. Është një muzikë e njohur, sa herë ta pasur reforma të suksesshme në këtë vend, politika i ka sulmuar, ose më saktë politika i ka bërë pis”, thotë Manja.

Ka nisur me këmbën e majtë apo hapin e keq? Në të dyja rastet reforma është veçse një gjueti shtrigash sipas analistit Andi Bushati.

“Ç’po shohim sot? Sot po shohim një defekt kryesor, që reforma në drejtësi në vend që të shohë perspektivën, si do rregullohet sistemi, më shumë është kthyer në një gjueti shtrigash. Në një gjueti shtrigash, ndaj njerëzve që merren në pyetje. Shikoni si bëhet ai komisioni i vettingut atje, i cili i serviret publikut ja kaq para i dolën dhe këtij, me këtë po largohet dhe ky, dhe nga ana tjetër kemi gjithë autoritetet shtetërore nga ministri i drejtësisë deri tek kryeministri dhe ambasadorët, ish-ambasadorët që kanë qenë në Tiranë që i servirin vendeve perëndimore, ja eksperimenti i madh, që po del me sukses në Shqipëri. Dhe duket sikur suksesi është tek goditja dhe nuk flitet fare për rindërtimin, pra si do bëhet mirë, por si do hakmerremi ndaj së keqes. Dhe prandaj ajo frika ime se është një reformë që ka nisur me hapin e keq, apo me këmbën e majtë”, deklaron Andi Bushati.

“QEVERITË” E REJA TË DREJTËSISË
Një shtëpi për… “qeverinë” e drejtësisë
Dhjetori kulmoi me ngritjen e dy institucioneve kyçe për qeverisjes e sistemit të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Frikërat dhe dyshimet se grupe të caktuara gjyqtarësh e prokurorësh mund ta pengonin krijimin e tyre rezultuan të pabaza.

Faktori ndërkombëtar e priti me entuziazëm ngritjen e këtyre dy institucioneve të rëndësishme.

Të dy këto institucione u konstituuan pas 29 muajsh që nga votimi në Kuvend i ndryshimeve Kushtetuese. Këshillat përbëhen nga 11 anëtarë.

Drejtimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e mori Gent Ibrahimi, ekspert i nivelit të lartë për reformën, një emër i anatemuar për lidhje të forta me Partinë Socialiste.  Naureda Llagami, e ardhur nga shoqëria civile, dikur ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë, u zgjodh me shumicë votash në krye të KLGJ. Ndonëse me profil të ulët publik, edhe Llagami nuk u ka shpëtuar akuzave të opozitës për ndikim nga maxhoranca.

Detyra e parë e KLP-së, është të hapë garën për Prokuror të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, detyrë që po ushtrohet përkohësisht nga Arta Marku. Gjasat janë që vendimi të merret në janar 2019.

Arta Marku mund të jetë një nga kandidaturat dhe ndoshta e mundur të rikonfirmohet në këtë post. Por sa besueshmëri jep imazhi i saj në drejtësinë e re?! Për analistin Andi Bushati, Ata Marku është fryti i parë i procesit të elitës aktuale për drejtësinë e re.

“Fryti i parë i gjithë këtij procesi ishte kryeprokurorja Arta Marku. A mendoni qoftë dhe shqiptari që i ka kushtuar pjesën më minimale të vëmendjes asaj që ka ndodhur me reformën në drejtësi, se Arta Marku mund të jetë fytyra e re drejtësisë që presin shqiptarët? Këtu ne na lindin pikëpyetjet e mëdha”, thotë Bushati.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të emërojë muajt e parë të vitit të ardhshëm edhe anëtarët e Prokurorisë Speciale, institucionit kyç të reformës që më shumë se askush tjetër i trembet politika. Këshilli i Lartë Gjyqësor e bëri hapin e parë, ai mori vendim për nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këtë mënyrë iu hap rruga krijimit të Gjykatës Speciale, e cila pritet të gjykojë veprat penale të korrupsionit të elitës shqiptare.

DREJTESI E RE APO SISTEM I KAPUR?

Si gjithmonë e për çdo çështje, politika vijon të jetë e ndarë. Edhe media është deri diku e ndarë në qëndrimet për reformën në drejtësi.

Analisti Preç Zogaj ka argumente pro kësaj reforme dhe besimi i tij për sukseset e kësaj reforme lidhet me faktin se është konceptuar nga SHBA e BE.

“Në boshtin e vet këtë reformë e ka konceptuar Amerika miqësore ndaj Shqipërisë. Pra në boshtin e vet është konceptuar nga një vend partner, por edhe nga BE dhe është përqafuar nga faktorët politikë që e kanë votuar në unanimitet me 140 vota. Sigurisht që përgjatë procesit, ka pasur gjithnjë tentative për t’i vendosur bishta atij boshtit që përmenda pak më lart. Ca bishta i ka krasitur komisioni i Venecias. Ndonjë bisht edhe ka ngel aty, por nuk e prek si me thënë thelbin e reformës për të goditur pandëshkueshmërinë në sistem. Dhe kjo është parë qartë tani, edhe ata që nuk e kanë ditur këtë që po them unë tani, kanë mundësi ta verifikojnë, se amerikanët dhe gjermanët janë protagonistë, jo vetëm bashkëautorë të konceptimit të reformës, por janë protagonistë të zbatimit të saj”, deklaron Zogaj.

Analisti Andi Bushati është skeptik dhe e sheh si një situatë anormaliteti atë çfarë ka arritur deri më tani procesi i reformës.

“Gjithmonë kur flasim për rezultatet e reformës në drejtësi kemi dy rrafshe: atë që ka krijuar sot dhe atë që presim të krijojë nesër. Atë që ka krijuar sot është një shtet anormal dhe jo funksional. Një shtet ku nuk vepron Gjykata Kushtetuese, çka i ka dhënë qeverisë të drejtën të abuzojë shumë me kompetencat e saj, një shtet ku Gjykata e Lartë është në 1/3 e saj të përgjysmuar por gjithashtu një sistem ku edhe gjyqtarët e shkallëve të para që janë sot në punë janë shumë të frikësuar të mbrojnë me të drejtë çështje kundër qeverisë apo kundër pushtetit sepse atij i tregojnë kërbaçin e vettingut. Pra, sot jemi totalisht jo funksionalë”, deklaron Andi Bushati.

Por nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, 2018  e cilëson reformën si një sukses të jashtëzakonshëm. Ai thotë se së shpejti shqiptarët do të shohin frytet e drejtësisë se re dhe të pakorruptuar.

“Dua të them që vitit 2018 ka qenë vit i suksesshëm për sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi. Mund të themi që me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e saj vendimtare, ka hyrë në binarët kushtetues të saj dhe është në fazën vendimtare të zbatimit”, shprehet Manja.

Ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, thotë se drejtësia është tërësisht nën kontrollin e maxhorancës. Për të provuar këtë pohim, ai jep disa argumente.

“Besoj është e qartë për çdo shqiptar që deri në këtë moment reforma në drejtësi nuk ka sjellë asnjë nga rezultatet e pritshme mbi arsyet për të cilat ajo u ndërmorr. Sot nuk kemi asnjë zyrtar të lartë i cili të ketë përfunduar në burg edhe pse kemi hyrë në vitin e tretë nga momenti i miratimit të reformës në drejtësi”, deklaron Bardhi.

Përballë zërit të opozitës sigurisht vjen kundërpërgjigja e kryetarit socialist të komisionit të ligjeve që rrëzon pretendimet për kapjen e sistemit.

“Mekanizmat kushtetues garantojnë për të pasur një sistem drejtësie të pavarur”, thotë ai.

Gjithsesi në muajt e parë të 2019, vendi do të ketë një kryeprokuror me mandat kushtetues. Gjyqtarët e prokurorët mund të garojnë për të qenë pjesë e SPAK-ut dhe GJKKO-së. Është momenti kur priten rezultate shumë të rëndësishme, është momenti kur elita jonë politike vihet në provë për çfarë ka propaganduar për kaq shumë kohë, ‘rule of law’, barazia para ligjit. SPAK e BKH pritet të na e vërtetojnë.

FRIKË NGA SPAK

Por sa e frikësuar është politika nga ngritja e SPAK-ut, strukturës që pritet të godasë korrupsionin në nivele të larta?

I vendosur Manja thotë se çdo politikan duhet të jetë i gatshëm të përballet me drejtësinë. Ndërsa juristi Bardhi i bën thirrje maxhorancës të dorëzojë në prokurori çdo material apo provë komprometuese për anëtarët e opozitës.

“Natyrisht ne që e projektuam këtë reformë në drejtësi duhet të jemi të parët që do duhet të jemi të gatshëm të përballemi me drejtësinë e re që vjen. Askush nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia”, thotë Manja.

“Jo vetëm nuk kemi frikë nga SPAK, por e kemi votuar me vullnet të plotë, dhe jemi në pritje të tij, nëse do të lejohet të jetë një organ i pavarur deri me tani nuk janë gjasat për të qenë i tillë, si një aleat  që do të godasë korrupsionin qeveritar që është në përmasa gjigande, si dhe politikanët e lidhur me krimin e organizuar”, shprehet Bardhi.

Kur i dëgjon kaq të vendosur duket se të gjithë janë gati të përballen me drejtësinë. Asnjë s’ka frikë. në mënyrë të pabesueshme të gjithë bërtasin për drejtësinë, për gjithçka që është bërë me padrejtësi në këto 28 vjet.

Por cilët janë ata politikanë a njerëz të drejtësisë që kanë bërë korrupsion, cilët janë ata që patën lidhje me krimin, cilët janë ata që shkaktuan viktima për shkak të korrupsionit, cilët janë ata që kanë çuar kriminelë në parlament? Vallë ku do t’i gjejë SPAK-u e BKH-ja autorët e këtyre krimeve mbi drejtësinë sepse dy palët në politikë nuk janë të frikësuar, nuk e shohin veten fajtorë. Por kur pritet që shqiptarët të shohin frytet e reformës?

“Besoj që viti 2019 do të jetë viti kur shqiptarët do t’i prekin frytet e para të zbatimit të reformës në drejtësi dhe ai merak që keni ju për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në radhët e zyrtarëve të lartë le të shpresojmë që 2019 do të jetë viti i prekshëm”, deklaron Ulsi Manja.

“Nuk them se drejtësia e re do agojë si dielli, që agoi tani dhe e pamë, është nëj proces. Por po lind dhe do të zërë vend drejtësia e re në Shqipëri. Është konceptuar për të goditur korrupsionin në sferat e larta përgjatë shumë viteve. Me produktin që do ketë do bëjë të mundur që drejtësia të themelohet si drejtësi e pavarur ndoshta njëherë e përgjithmonë në Shqipëri dhe do shëndoshë sistemin politik. Do mendohen gjatë ata drejtues që do vijnë kur t’u shkojë ndërmend se mund të pasurohen ose mund të vënë dorë në pasurinë e taksapaguesve dhe të vendit të tyre”, deklaron Zogaj.

“Personalisht nuk kam asnjë besim që organet e reja të sistemit të drejtësisë do të arrijnë atë rezultat që ne prisnim të gjithë, të nxirrnin jashtë politikës zyrtarët publikë të korruptuar, zyrtarët publikë të lidhur me krimin e organizuar dhe ata individë që shpërdoronin besimin e publikut gjatë ushtrimit të një funksioni publik”, tha Bardhi.

Në se reforma në drejtësi do të funksionojë ashtu siç është propaganduar për pesë vite, nëse presidenti, kryeministri, ministri, deputeti, presidenti, krimineli, biznesmeni e populli do të jenë të barabartë para ligjit, logjikisht pritet që në fund të këtij procesi, shumica e pjesëtarëve të elitës, politike apo gjyqësore, do të jenë dënuar. Sepse historian a tregon shumë procese gjyqësore ku janë implikuar në korrupsion politika dhe gjyqësori, kanë mbetur pa fajtor.

“Sinjalet e marra deri më tani, me emërimet politike, me emërimet e njerëzve servile, po na tregojnë se edhe për nesër shpresa po shuhet dita-ditës dhe kurrë nuk kemi të bëjmë me atë propagandën e madhe të një drejtësie të rilindur që do të çlirohet nga kthetrat e korrupsionit të politikës”, deklaron Andi Bushati.

Është një reformë që në se zbatohet do të shënonte fundin e kësaj elite. Por sa e gatshme është kjo elitë të vulosë rënien e saj?! Duket kaq naive të besosh apo të supozosh se një fuqi politike thellësisht e korruptuar, do të heqë dorë nga kontrolli mbi sistemin e drejtësisë, se është gati të krijojë një drejtësi të pastër e të pavarur.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb