Deputetja Albana Vokshi, ka thënë gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit se zgjatja e afateve të vettingut duhet bërë, por pikë së pari duhet analizuar procesi i dështuar sipas saj i këtyre viteve.

Vokshi theksoi se qytetarët nuk kanë besim te drejtësia e re, pasi rezultatet janë të pakta e larg pritshmërive të tyre.

“A është bërë analizë e Reformës në Drejtësi. Çfarë mendojnë shqiptarët në Reformën në Drejtësi. Të gjithë ne e dimë që ato nuk besojnë. Shqiptarët thonë s’kemi marrë drejtësi. Sot kërkohet të bëhen ndryshime pa bërë analizë të një procesi që ka sjellë probleme serioze dhe ka shërbyer në kapjen e drejtësisë. Ky proces ka qenë dështim total. Standardet e këtij procesi kanë qenë të shumëfishta. Gjyqtarët dhe prokurorët e kanë kaluar vettingun. Janë larguar njerëz për pak lekë, ndërkohë që janë mbajtur persona të korruptuar se i kanë shërbyer procesit. U prodhua SPAK, e votuam edhe ne, i cili ende edhe sot nuk ka guxim minimal ndaj korrupsionit qeveritar. Dhjetëra dosje që ende presin të hetohen nga SPAK. Sistemi gjyqësor është në kolaps total. Shkalla e parë është e superngarkuar. Apeli nuk funksionon. Një familjar i imi ka një dosje në Kushtetuese që prej anëtari të 2014. Kur ne nuk gjejmë akses atje, po qytetari i thjeshtë? Sot askush s’i kërkon falje qytetarëve dhe të thotë pse ku u gabua. Sot në Shqipëri nuk ka drejtësi. Unë kam bërë betejat e mia për shëndetësinë e rrënuar. Ku është zoti Ilir Beqaj, të cilit iu dhuruan paratë e donatorëve. Kam bërë betejën time edhe për Teatrin Kombëtar.

Ku janë përgjegjësit? Njëri kryeministër, tjetri kryebashkiak, tjetri deputet dhe askush nuk ka shkuar përpara drejtësisë. Thonë që u dënua me 3.4 vite Tahiri, shumë pak janë. Sa shqiptarë sot vuajnë pasojat e përdorimit të parave të pista. A po bëhet drejtësi me banorët e 5 majit. Nëse drejtësia e re, ajo që ju flisni do të kishte funksionuar a do të kishim një tjetër masakër elektorale më 25 prill. Do të kishim rrjedhje personale të qytetarëve shqiptarë? A do të përdoreshin punonjësit e administratës si patronazhistë? Nëse do të funksiononte drejtësia e re a do të mbante dikush përgjegjësi? Procesi i vettingut duhet të vijojë, por jo kështu siç është bërë këto vite. Ky është një proces që duhet analizohet e më pas të referohet. Drejtësia nuk duhet parë si çështje pazari të ditës, por si i një rëndësie të veçantë”, tha Vokshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb