TIRANË

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot në takimin “30 vjet së bashku”, me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, se reforma në drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa mbështetjen e SHBA.

“Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti anti-reformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë”, tha Xhaçka duke folur në aktivitetin “30 vjet së bashku”, me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA”, të mbajtur në MEPJ.

Xhaçka theksoi se, “marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë”.

“Kjo është një datë shumë e rëndësishme për vendet tona, por kjo është një datë shumë e rëndësishme edhe në një nivel njerëzor, jo vetëm për mua, por për dhjetëra mijëra shqiptarë”, tha Xhaçka.

Fjala e plote:

E quaj veten me fat që jam në këtë detyrë në një datë kaq të rëndësishme për diplomacinë shqiptare, sepse padyshim marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë.

Kjo është një datë shumë e rëndësishme për vendet tona, por kjo është një datë shumë e rëndësishme edhe në një nivel njerëzor, jo vetëm për mua, por për dhjetëra mijëra shqiptarë.

Mikja ime Yuri e di historinë e familjes sime. Stërgjyshi im jetoi për disa dekada në Amerikë, ku ishte edhe një nga themeluesit e Kishës Ortodokse Shqiptarë të Bostonit bashkë me Fan Nolin, por u kthye më pas në Shqipëri për të kontribuar për vendlindjen e tij.

Dhe siç ka ndodhur me sa e sa familje shqiptare, fillimi i Luftës së Dytë Botërore e më pas ardhja në pushtet e komunizmit, ua bëri të pamundur rikthimin në Amerikë deri pas vitit 1990 kur edhe unë vetë pata mundësinë të shkoj të jetoj atje, të marr shtetësinë për shkak të paraardhësve të mi, të studioj, për t’u kthyer pastaj një ditë njësoj si im gjysh për të punuar në Shqipëri.

Vendimi për të ndërprerë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, nuk ndërpreu thjesht marrëdhëniet mes dy shteteve, por edhe marrëdhëniet mes dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, ku në shumë raste një pjesë e familjes mbetej në Amerikë e tjetra në Shqipëri, duke u ndarë për thuajse 50 vjet për së gjalli. Besoj që ka pak vendime politike që të kenë rënë ndesh më shumë me ato që ishin ndjenjat e vërteta të popullit shqiptar, sesa ai vendim për t’i shpallur shqiptarët e amerikanët armiq për vdekje.

Unë isha e vogël kur Shqipërinë e vizitoi James Baker në 1991. Im atë më kishte marrë për ta parë atë moment historik për vendin tim. Ajo skenë e jashtëzakonshme, ai det njerëzish që kishin mbushur Tiranën, ishin përgjigja më e mirë për këdo që mund të kishte ndonjë dyshim mbi ndjenjat e vërteta të shqiptarëve për Amerikën.

Për mua, për kushedi sa familje si e imja, rivendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, ishte diçka shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme sesa një moment historik në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Amerikës. Ishte një moment bashkimi.

Jam e bindur që marrëdhënia mes vendeve tona është kjo që është, kaq e fortë dhe e konsoliduar sa është, sepse ajo ngrihet mbi themelet e lidhjeve njerëzore që ekzistojnë mes nesh. Nuk është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa strategjike të një momenti apo konvenienca gjeopolitike të një momenti tjetër. Është një marrëdhënie mes dy popujsh që i bashkojnë vlerat, parimet e fijet e panumërta të lidhjeve familjare e njerëzore.

Historia e 30 vjetëve të fundit ka treguar më së miri, me fakte e prova, sesa jetike ka qenë miqësia me Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Çdo shqiptar mund t’i bëjë vetes disa pyetje të thjeshta për ta kuptuar këtë:

Si do të kishte qenë historia e tranzicionit shqiptar pa mbështetjen e SHBA?

Si do të kishin qenë sot shqiptarët në rajon pa mbështetjen e SHBA?

Si do të kishte qenë sot rajoni ynë, i konsumuar nga konflikte e diktatura e dhuna për aq gjatë, pa ndërhyrjen e SHBA?

E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991.

Unë kam pasur rastin ta shoh nga afër këtë mbështetje kur shërbeva si Ministre e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Kam pasur fatin të bashkëpunoj nga afër me partnerët tanë strategjike amerikanë në një përpjekje të përbashkët për të ngritur kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe jam e vetëdijshme se nëse Shqipëria e cila 20 e ca vjet më parë nuk garantonte dot as sigurinë e brendshme, sot është një faktor stabiliteti në rajon e eksportues sigurie, kjo i detyrohet këtij partneriteti.

Në fakt jo vetëm mbrojtja, por mbarë transformimi demokratik i Shqipërisë dhe rrugëtimi i saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian i detyrohet shumë mbështetjes amerikane. Reforma në drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa këtë mbështetje. Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti anti-reformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë.

Po shihja dokumentet që janë ekspozuar këtu sot dhe vura re që njëri syresh, është marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. Është një rastësi që kjo marrëveshje ekspozohet për herë të parë vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Bashkëpunimit mes MIE dhe Exxon Mobil e Excelerate Energy, e cila i forcon edhe më shumë lidhjet mes nesh, i jep një dimension të ri partneritetit strategjik mes nesh, por dërgon edhe një mesazh të qartë që Shqipëria është një vend i sigurt për investime serioze, që i ka dyert e hapura për kompanitë amerikane.

Disa ditë më parë, mikja ime Yuri organizoi një video konferencë me ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri në këto 30 vjet dhe ambasadorët shqiptarë që kanë shërbyer në Amerikë në të njëjtën kohë. Ishte vërtet një aktivitet shumë i bukur me njerëzit që kanë luajtur një rol në vetë të parë në ndërtimin e partneritetit që kremtojmë sot. Ajo që më bëri përshtypje dhe që dua ta kujtoj ishte përfshirja e madhe njerëzore, kujtimet e bukura dhe ndjenja miqësore që të gjithë ruanin nga koha e shërbimit të tyre.

Për fat të keq, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, zoti Ryerson e pati të pamundur të ishte me ne. Ama isha e sigurt që një njeri që ka bërë aq shumë për Shqipërinë dhe e ka dashur atë aq shumë nuk mund të mos fliste në këtë ditë.

Dje, u njoha me një letër që ai ka dërguar me rastin e 30 vjetorit. Dhe dua të lexoj disa fjali që më bënë shumë përshtypje sepse konfirmojnë atë që edhe unë vetë kam besuar gjithmonë.

Katërqind vjet e pushtuar dhe gjysmë shekulli vetë-izolim duan shumë punë për t’u zhbërë. Demokracia, përfshirë edhe tonën, është gjithnjë punë në zhvillim. Por nuk pati kurrë asnjë dyshim që të dyja vendet tona ndanin të njëjtat shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, në paqe me fqinjët e saj. Në shumë biseda me figura politike në Tiranë, ishte e qartë se interesat e SHBA dhe Shqipëri nuk përplasen në asnjë pike.

Këto fjalë janë një dëshmi e qartë e aftësisë së z. Ryerson për të kuptuar realitetin shqiptar dhe ku qëndrojnë shqiptarët në raport me Amerikën. Lajmi i mirë është që asgjë nuk ka ndryshuar në këtë konstatim, përkundrazi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe ShBA janë forcuar akoma më shumë.

Dhe jam e bindur, që 30 vjet nga sot, kur Yuri të dërgojë një letër për të përshëndetur 60 vjetorin e marrëdhënieve mes nesh, kjo marrëdhënie do të ketë ecur akoma më shumë e do të jetë forcuar akoma më shumë.

E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991

marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë.

Nuk është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa strategjike të një momenti apo konvenienca gjeopolitike të një momenti tjetër. Është një marrëdhënie mes dy popujsh që i bashkojnë vlerat, parimet e fijet e panumërta të lidhjeve familjare e njerëzore.

Historia e 30 vjetëve të fundit ka treguar më së miri, me fakte e prova, sesa jetike ka qenë miqësia me Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në fakt jo vetëm mbrojtja, por mbarë transformimi demokratik i Shqipërisë dhe rrugëtimi i saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian i detyrohet shumë mbështetjes amerikane. Reforma në drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa këtë mbështetje. Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti anti-reformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb