NGA ELDA MENGA

TIRANE– Ndryshimet Kushtetuese të mazhorancës nuk do të prekin formulën e zgjedhjes së Presidentit, por vetëm kompetencat e tij. “News24” ka siguruar draftin me 58 ndryshimet Kushtetuese që do diskutohen të hënën në Komisionin e Posaçëm Parlamentar.

Presidenti parashikohet të mos jetë më kryetar i këtij këshilli , i cili do të ketë jo vetëm emërtim të ri, por edhe formulë të re.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve. Kur në votimin e parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e arrin shumicën prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve.

Edhe pse larg në qëndrime mazhoranca takohet me opozitën në një pikë, atë që Ministri i Drejtësisë të mos jetë më anëtar i Këshilli të Lartë Gjyqësor, por ky i fundit do të marrë pjesë në mbledhjen e këtij Këshilli si vëzhgues, ndërkohë nuk do të preket ekskluziviteti i tij për nisjen e procedimeve disiplinore kundër gjyqtarëve.

Një tjetër kompetencë që i preket kreut të shtetit është e drejta në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga 3/5 e deputetëve, me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi opinionin e Këshillit për Emërimet në Drejtësi për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë ri-emërimi. Procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohet me ligj.

Ekspertët e lartë pranë Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi propozojnë dy opsione për mandatin e prokurorit. 1. T’i ndërpritet mandati kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla dhe në vend të tij të emërohet një kryeprokuror i ri me hyrjen në fuqi të këtij ligji; dhe 2. të rrijë në detyrë deri në fund të mandatit. Këto propozime do t’i dërgohen për mendim Komisionit të Venecias dhe do të jetë ai i cili do të vendosë për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Propozimi i jep zgjidhje edhe ngërçit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët do të emërohen nga Presidenti me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke përjashtuar pëlqimin e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese nuk do të mund të gëzojë të drejtën për të shpallur si antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi, për rishikimin e Kushtetutës.

Edhe pse ishte paralajmëruar që reforma të përmbyllet këtë vjeshtë, ditët e hënë pritet që në Komisionin e Posaçëm, të shtyhet mandati i këtij komisioni deri më 30 qershor të vitit 2016, “News24” ka mësuar se drafti nuk ka marrë firmat e deputeteve, ndërkohë pritet ti dërgohet për mendim Komisionit të Venecias.

Më herët PD ka bërë publike amendimet e saj për ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb