TIRANE- Bisedimet mazhorancë-­opozitë për Reformën në Drejtësi duket se kanë dështuar sërish. Ekspertët e opozitës u larguan sërish nga tryeza e diskutimeve duke deklaruar se shkak për këtë është bërë “vendosmëria e ekspertëve të mazhorancës për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje”.

Eksperti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, duke folur në studion e “Neës24”, tha se palët duhet të diskutojmë bashkërisht për draftin, dhe të arrijnë një kompromis.

“Një nga kërkesat është garantimi i moskapjes politike të reformës. Komisioni i Venecias e ka vënë në diskutim këtë çështje, duke u shprehur se në kushtet politike në Shqipëri, nuk garantohet pluraliteti brenda këtyre organeve. Dhe rekomandojnë të gjenden zgjidhjet e duhura. Qëllimi i mazhorancës është që të dalim me dy drafte. Po nëse bëhet fjalë për dy drafte atëherë pse të bëhet një mbledhje e përbashkët kur secili mund të punojë më vetë për hartimin e draftit. Kjo nuk është ajo për të cilën po përpiqemi. Puna jonë si ekspertë është të ulemi të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje, dhe të mos qëndrojmë stoikë në vendimet tona”, u shpreh eksperti i PD-së.

Bardhi tha se një tryezë politike diskutimesh mund të jetë zgjidhje, pasi një tryezë teknike deri më tani nuk ka dhënë rezultat.

“Ekspertët e mazhorancës kanë marrë urdhër t’i qëndrojnë besnikë dhe stoikë qasjes së tyre. Kjo është ngecje e procesit, dhe shkak për këtë janë ekspertët e mazhorancës”, tha Bardhi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb