TIRANE – Analisti i njohur, Fatos Lubonja, e gjykon si grusht shteti draftin e Kushtetutës së re që kanë hartuar ekspertët e nivelit të lartë për reformën në Drejtësi. Duke analizuar ne detaje draftin e ri, në një analizë të publikuar në të përditshmen “Panorama”, Lubonja shprehet se reforma që po propozohet përfaqëson një kapje të sistemit të drejtësisë nga pushteti aktual politik.

Formula e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLGJ dhe KLP, sipas Fatos Lubonjës me 3/5 votave të deputetëve në kuvend, rrit peshën specifike të politikës në këto zgjedhje. Kjo ndikon në mënyrë kapilare dhe në zgjedhjen e institucioneve të tjera të drejtësisë, duke përmendur këtu zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Edhe pse drafti i ri ja le zgjedhjen e anëtarëve të saj presidentit, këta të fundit propozohen nga KLGJ, i zgjedhur sipas një formulë me peshë të spikatur politike. E njëjta formule dhe për krijimin e Këshillit të lartë të prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm nuk emërohet më nga presidenti me pëlqim të kuvendit, por me propozim të KLP nga 3/5 e deputetëve. Prokurorit të përgjithshëm, i është hequr e drejta e emërimit të prokurorëve të tjerë, kompetencë që e ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Figura e presidentit bëhet me e parëndësishme, ndërsa forcohet prirja e përqëndrimit të gjithë pushtetit te kryeministri. Analiza e Lubonjës shkon dhe më tej ku ai përmend se në draft janë futur disa pika, ku thuhet se gjyqtarët mbajnë përgjegjësi disiplinore para ligjit po kështu dhe prokurorët.

Dhe sipas tij, kjo krijon ndjesinë sikur drejtësia është futur në bankën e të akuzuarve dhe po i jepen dënime dhe kërcënime. Këtë e përforcon dhe neni 147, ku flitet për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, që do merret me hetimin e shkeljeve disiplinore, dhe ankesave kundër gjyqtarëve apo anëtarëve të KLGJ dhe KLP.

Inspektorati me 5 vetë, 3 nga gjyqësori dhe 2 nga prokuroria emërohet po nga kuvendi me formulën 3/5 edhe kryeinspektori nëse nuk arrihet që 5 anëtarë ta zgjedhin me 2/3 ai zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga kuvendi.
Madje në ligj përcaktohet se Ministri i Drejtësisë merr pjese si vëzhgues në mbledhjen e Inspektoratit. Edhe pse Venecia zbuti rolin e ministrit si super/inspektor serish kjo dobëson drejtësinë në raport me pushtetin politik.

Por sipas Lubonjës, lepuri fle diku nga fundi i draftit, në një aneks të posaçëm i titulluar “Masat për të fituar besimin”, ku thuhet se çdo gjyqtar dhe prokuror do pastrohet nga një i ashtuquajtur Komision i Pavarur Kualifikimi. Po kush e zgjedh këtë inkuizitor, sërish kuvendi me 3/5.

Edhe vëzhguesit e huaj që parashikohen këtu, sërish e njëjta dorë, Këshilli i Ministrave. Dhe në këto kushte, për Lubonjën, operacioni i mbiquajtur reforma në drejtësi krijon kushtet e një grushti shteti, e një gjendje të jashtëzakonshme që evokon situata ku lind nevoja e krijimit të organeve me fuqi të jashtëzakonshme deri në konsolidimin e pushtetit te puçistëve.

Madje Lubonja thotë se një rrezik të tillë e ka parashikuar dhe Komisioni i Venecias, ku në një koment të saj shprehet “se duhet mbajtur mend se një zgjidhje e tille radikale do ishte e pavend në kushte normale, sepse krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik te gjyqësori, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin.

“Edhe sikur Edi Rama të kishte zbritur nga qielli në vitin 2015, edhe sikur partia që ai drejton të ishte përbërë vetëm nga njerëz idealiste, një kapje e drejtësisë nga një forcë politike do ishte e rrezikshme dhe jo me kur kemi parasysh se kjo parti përbëhet nga banditë dhe kryebanditë të vjetër dhe të rinj, që nuk kanë lënë gjë pa bërë që pas viti 1991, madje para këtij viti. Ata ndërkombëtare që mbështesin këtë grusht shteti, atë mision të turpshëm antidrejtësi, nëse nuk janë nën presionin e lobingjeve të Ramës, brenda dhe jashtë vendit duhet ti përgjigjen pyetjes: “A mund ti besohet drejtësia një partie dhe kryetari që për të marrë pushtetin mbushi Partinë Socialiste me kriminelë, si asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë dhe thuajse çdo ditë jep shenja të qarta se vetëm me ligjin dhe të drejtën s’ka lidhje?”- shtron pyetjen Fatos Lubonja në mbyllje të analizës së tij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: