NGA ORNELA MANJANI*

Në tri vitet e ardhshme qeveria ka vendosur të rrisë pagat e buxhetorëve. Fondi i parashikuar për zërin politika të reja pagash është parashikuar në masën 4.5 miliardë lekë për tre vjet, për harkun kohor 2017-2019. Për vitin 2016 nuk ka fond të parashikuar për këtë zë, çka do të thotë se gjatë këtij vitit nuk ka një fond të dedikuar për rritjen e pagave.

Sipas tabelës fiskale të publikuar nga Ministria e Financave, mësohet se për vitin 2017, fondi në zërin politika të reja pagash është përcaktuar 1 miliard lekë; për vitin 2018 një fond prej 1. 5 miliardë lekësh, ndërsa për vitin 2019 fondi është 2 miliardë lekë. Ndërkohë që nuk është ndjekur e njëjta politikë për pensionet. Kështu, nga vitit 2016 deri në vitin 2018 nuk ka asnjë fond për rritjen e pensioneve, por në buxhetin e këtij viti është parashikuar vetëm indeksimi i tyre. Ndërsa për vitin 2019 është parashikuar një shumë prej 1.4 miliardë lekësh. Fondet pritet të rishikohen për çdo vit buxhetor, ku do të përcaktohen edhe kushtet e kriteret mbi të cilat do të aplikohet rritja e pagave.

Buxheti 2016
Pagat për buxhetorët do të rriten në mënyrë të diferencuar. Do të përfitojnë rritje rroge punonjësit e sektorëve më të rëndësishëm në vend, të cilët ende nuk janë specifikuar. Fondi në dispozicion të rasteve të paparashikuara të institucioneve buxhetore është 1 miliard lekë dhe mund të përdoret vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të shërbejë edhe për rritjen e pagave. Ndërsa fondi për rishikimin e pensioneve është parashikuar në vlerën 1. 1 miliardë lekë. Rritja e pensioneve, e cila pritet të jetë sa indeksimi i inflacionit, do të kryet në korrik.

Rritja ekonomike
Qeveria rishikoi me ulje treguesin e rritjes ekonomike për periudhën afatmesme 2017-2019, krahasuar me vlerësim e muajit korrik 2015. Rishikimet e fundit kanë korrektuar pritjet për rritjen ekonomike edhe për vitin 2015, ku treguesi pritet të finalizohet në 2.6% nga 2.7% që ishin pritshmëritë e mesit të vitit të kaluar. Gjithashtu, qeveria ka rishikuar me ulje pritjet për rritjen e vitit 2017 dhe 2018, përkatësisht me nga 0.1%. Planifikimet e reja që i përkasin fundit të janarit synojnë një nivel borxhi për këtë vit në 70.9 % nga 71 për qind që ishin pritshmëritë e korrikut 2015. Gjithashtu, pritjet për borxhin janë rishikuar me ulje edhe për vitin 2017, duke synuar një nivel 68% të PBB-së krahasuar me 69.2 për qind që ishte planifikimi i mesit të vitit 2015.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb