TIRANE

“Miratimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese vërteton plotësisht që politika nuk mundet më ta pengojë zbatimin e refromës në drejtësi”, ky është mesazhi i ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohen dy projektligjet “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Në fjalën e saj, Gjonaj u shpreh se projektligjet kanë si qëllim që të plotësojnë vakumin e madh që u krijua nga Gjykata kushtetuese, veçanërisht në çështjet e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Si pasojë e këtij vendimi të gjykatës kushtetuese, i cili veçanërisht për shfuqizimin që i bëri dispozitave që lidheshin me përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Ministër i Drejtësisë kam hasur jo pak herë me vështirësinë e propozimit të një mase disiplinore për gjyqtarët që kishin abuzuar me detyrën. Gjykata Kushtetuese, me shfuqizimin në bllok të këtyre dispozitave, i krijoi një pengesë të madhe zbatimit të reformës në drejtësi dhe rriti perceptimin e pandëshkueshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sytë e publikut”, shprehet Gjonaj.

Ndër të tjera, ministrja e Drejtësisë bën edhe një kronologji të reformës në drejtësi ku tregon disa nga momentet ku opozita ka bllokuar procesin.

“Ishte pikërisht kjo opozitë e cila që në krye të herës pavarësisht se miratoi ndryshimet kushtetuese në mënyrë unanime në 22 korrik 2016, bojkoti miratimin e ligjeve të tjera, duke sjellë vonesa 6 mujore në hyrjen në fuqi të paketës ligjore për zbatimin e reformës në drejtësi.

Se nuk kishte asnjë arsye pse, Presidenti i zgjedhur nga partia demokratike të mos shpallte asnjëherë vendet vakante për përzgjedhjen e komisionerëve të organeve të vetingut.

Se nuk ka asnjë arsye pse, pavarësisht se ishte hartuar me asistencën ndërkombëtare dhe të komisionit të Venecias, partia demokratike të sulmonte në gjykatën kushtetuese shtyllën e reformës në drejtësi, ligjin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dhe së fundmi, 6 muaj më pas, kur avokati i popullit shpalli vakancat për anëtarë të komisioneve të vettingut dhe ambasada amerikane i bënte thirrje shqiptarëve patriot për të aplikuar për komisionet e vettingut, dhe kur e panë të pamundur që të frenonin këtë proces, partia demokratike zgjodhi që të largohej nga Kuvendi dhe të zhvendosej në bulevard duke i sjellë reformës edhe një vonesë tjetër prej 6 muajsh.

Dhe kur e kuptuan që lufta ballë për ballë ndaj reformës ishte e pamundur, filluan ta sulmonin atë me organet e sistemit që kishin në kontroll.
Prokurori i Përgjithshëm, menjëherë sa u kuptua që procesi ishte i pandalshëm dhe prokuroria e përgjithshme do të duhej të kryente vlerësimin fillestar profesional të prokurorëve, shkriu strukturën përgjegjëse që kryente këtë vlerësim.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorati i tij, pavarësisht se ligji i vettingut kishte hyrë në fuqi, një vit më pas nuk kishte kryer asnjë veprim për vlerësimin profesional të gjyqtarëve.

Dhe sot dalin e kërkojnë llogari pse është vonuar procesi i vettingut dhe ngritjen e organeve të reja: është vonuar pikërisht për shkak të rolit që ka luajtur partia demokratike apo mos ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese të Presidentit në pengimin e reformës në drejtësi – e kjo është e qartë për çdo qytetar shqiptar, prandaj dhe u ndëshkuan aq rendë me votë në zgjedhjet e vitit 2017”, nënvizon Gjonaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb